Home ZGJODHËM PËR JU VLERA E FJALËS LA ILAHE IL-LALLAH

VLERA E FJALËS LA ILAHE IL-LALLAH

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbështetje tek Allahu nga të këqijat e shpirtit dhe të këqijat e veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush që e humbë dhe atë që e humbë, nuk ka kush ta udhëzojë. Dëshmoj se s’ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, i Cili është i Vetëm dhe i pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Salavati dhe selami qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë atë dhe kapen për Sunetin e tij deri në Ditën e Gjykimit…

O ju muslimanë, Allahu i Madhëruar na porositi ta përmendim Atë në çdo kohë, pakufishëm, duke na thënë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje”. Ahzab 41-42. E veçanërisht na urdhëroi ta përmendim pasi të lirohemi nga adhurimet e caktuara, në kohët e tyre të posaçme: “Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë”. Nisa 103, dhe tha: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!”. Bekare 200.

Përmendja e Allahut i përfshin të gjitha adhurimet, ato me gojë dhe ato me gjymtyrë. Pra, çdo adhurim është përmendje e Allahut. Besimtari gjithmonë e përmendën Allahun, e sidomos me gojë, duke e falënderuar (duke thënë Elhamdulilah) apo lartësuar (duke thënë Subhanallah) apo madhëruar (duke thënë Allahu Ekber), ngase se ky lloj i të përmendurit e Allahut është më i lehtë për njeriun në të gjitha gjendjet e tij, qoftë duke ecur apo duke qenë i hipur mbi kafshë, apo duke qenë në këmbë apo ulur apo i shtrirë. Kjo e tëra, ngase gjuha nuk lodhet nga lëvizjet e bëra kur e përmend Allahun, në krahasim me organet e tjetra, të cilat lodhen nga lëvizjet e tepërta.

Padyshim se fjala më e mirë nga të përmendurit e Allahut, është fjala: La ilahe il-lAllah. Për këtë arsye ajo duhet shqiptuar sa më tepër.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Fjala më e mirë që kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje, është La ilahe il-Allahu vahdeu la sherike lehu, lehu el-mulku ve lehu el-hamdu ve huve ala kuli shejin kadir (S’ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut. Ai është Një dhe i pa Shok. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë)”.

Pasi që kjo fjalë zë këtë pozitë në mesin e llojeve të dhikrit, e që për të lidhen vendime, ka kushte e domethënie, përmban kërkesa, nuk është fjalë që thuhet vetëm se me gojë. Këtë fjalë muslimanët e shfaqin kur e thirrin ezanin dhe ikametin dhe e shfaqin nëpër ligjëratat dhe bisedat e tyre. Ajo është fjalë për të cilën janë krijuar qiejt e toka. Për të janë krijuar të gjitha krijesat dhe për të kanë zbritur librat dhe janë dërguar Pejgamberët dhe janë caktuar ligje. Për të janë vënë peshore dhe regjistra dhe është hapur tregu i Xhenetit dhe Xhehenemit. Është fjalë që i ndan krijesat në besimtar dhe jobesimtar. Për të dhe për detyrimet e saj që e pasojnë do të pyetet robi në varr dhe për të do të llogaritet dhe do të dënohet apo shpërblehet. Për të janë ngritur shpatat e xhihadit.

Ajo fjalë është fjala e Islamit dhe çelësi i Xhenetit. Ajo është fjala e devotshmërisë dhe lidhja e fortë. Ajo është fjala e sinqeritetit dhe ajo e dallon kufrin nga imani. Me thënien e saj mbrohet gjaku, pasuria dhe nderi në dynja. Kush e thotë i bindur thellësisht në të nga zemra, i shpëton zjarrit të Xhehenemit dhe hyn në Xhenet.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu ia ka ndaluar zjarrin e Xhehenemit atij që thotë la ilahe il-lAllah, dhe me të e kërkon fytyrën e Allahut”.

Ajo është tekst i shkurtë me pak shkronja, e lehtë për gjuhën dhe e rëndë në peshore. Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Musai tha:’O Zot, ma mëso një gjë që të të përkujtoj dhe të të lus (adhuroj) me të. O Musai, thuaj La ilahe il-lAllah. Të gjithë robërit e Tu e thonë atë! – tha ai. O Musa, sikur shtatë qiejt dhe çka ka në to përveç Meje, dhe shtatë tokat të vihen në njërën anë të peshores, kurse La ilahe il-Allah në anën tjetër, i ngreh ato La ilahe il-lAllah”.

Kjo fjalë madhështore i posedon dy shtylla:

Shtylla e parë: Mohimi. Me mohim nënkuptojmë mohimin e çdo adhurimit tjetër, përveç Allahut.

Shtylla e dytë: Pohimi. Me pohim nënkuptojmë se vetëm Allahut i takon adhurimi.

Nga kjo qartësohet kuptimi i saj dhe ajo se duhet të urrehet shirku dhe idhujtarët dhe adhurimi t’i përkushtohet vetëm se Allahut. Kjo është kuptimi i fjalës së Ibrahimit, alejhi selam, të cilën ia tha prindit të vet: “Në të vërtetë, Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju në vend të Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë”. Zuhruf 26-27, dhe po ashtu ajeti: “Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë”. Bekare 256.

Muslimani kur e shpreh këtë fjalë e paraqet urrejtjen e tij ndaj idhujtarisë dhe idhujtarëve dhe ai adhurimin ia përkushton vetëm se Allahut. Me këtë e realizon Islamin dhe e fiton Xhenetin, mirëpo shprehja e saj vetëm se gojë, pa vepër me atë që aludon ajo fjalë dhe që e përmban ajo fjalë, nuk i bën dobi fare njeriut. Hipokritët e thoshin me gjuhët e tyre, mirëpo nuk e besonin me zemrat e tyre. Kjo i bëri të fitojnë bindje se i vdekuri bën dëm apo dobi, e të shkojnë në varreza dhe të sillen përreth tyre dhe të kërkojnë ndërmjetësim.

Këtij njeriu nuk i bën dobi thënia e fjalës la ilahe il-lAllah, ngaqë ai nuk punoi me kuptimin dhe domethënien e saj, e që nënkupton, urrejtjen e idhujtarisë dhe idhujtarëve dhe adhurimin e Allahut dhe askujt tjetër. Thënia la ilahe il-lAllah nënkupton: lënien e adhurimit të varreve, lënien e afrimit kah të vdekurit, si dhe lënien e adhurimit të idhujve. Nuk ka dallim mes adhurimit të idhujve dhe adhurimit të varreve. Kjo nënkupton fjalën la ilahe il-lAllah.

Për këtë arsye i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha Kurejshëve, thoni la ilahe il-lAllah, e ata thoshin: “A mendon ai t’i bëjë zotat një Zot (Allah)? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!”. Sad 5.

Idhujtarët e kuptuan kuptimin e fjalës la ilahe il-lAllah, mirëpo nuk e shqiptonin ngase nuk dëshiron ti linin zotat e baballarëve të tyre, krahas atyre sot, adhuruesve të varrezave, të cilët e bashkojnë idhujtarinë me shqiptimin e thënies la ilahe il-lAllah.

Ka mundësi që ata ta komentojnë këtë fjalë, me atë se, nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, apo me atë se Allahu është Krijues dhe Furnizues dhe të thonë se ai që e pohon këtë besim, e ka realizuar njësimin e Allahut dhe vetëm se ka dëshmuar se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut. Sipas tyre, nuk ka pengesë që njeriu pasi ta shqipton këtë fjalë, të shkon e të ther kurban për të vdekur dhe ti afrohet atyre me lloje të ndryshme të adhurimeve.

Ata sikurse nuk e kanë kuptuar se, idhujtarët nga të cilët i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kërkoi të thonë la ilahe il-lAllah, ishin pohues të asaj se Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi, ashtu siç na lajmëron edhe vet Allahu i Madhëruar: “Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?” Ata, me siguri do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi”. Zuhruf 9, dhe tha: “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?”. Junus 31.

Ky kuptim i gabueshëm po të buronte nga njerëzit e thjeshtë, do të kishte mundësi të pranohet, ngase ata janë injorantë dhe munden më vonë të mësohen dhe ta pranojnë të vërtetën shumë më lehtë se sa të tjerët. Mirëpo ajo që çudit, është fakti se kuptimi i gabuar i kësaj fjale buron edhe nga ata që pretendojnë se thirrin në dituri, fetva dhe mësim. Ata është shumë rëndë t’i bindsh dhe tua sqarosh, ngase injoranca e tyre është e kompleksuar, dhe ata nuk e dinë se nuk dinë. Ky lloj i njerëzve është shumë larg pranimit të vërtetë krahas atij që është injorant i thjeshtë dhe i cili e pohon injorancën e vet.

Këta janë dijetarë të devijimit, të cilët e shkatërruan vetveten dhe i shkatërruan edhe të tjerët nga injorantët, të cilët kishin mendim të mirë për ta dhe i pasonin në devijim. Nga ata na paralajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur tha: “Frikohem për umetin tim nga dijetarët e devijuar”.

Ata edhe pse janë dijetar në kuptimet dytësore të fesë, ata janë injorantë në baza të fesë. Ata nuk e kuptojnë kuptimin më madhështor, e që është njohja e njësimit të Allahut me të cilin erdhën të gjithë Pejgamberët. Për këtë arsye ata e luftojnë këtë kuptim dhe i luftojnë ithtarët e saj dhe shkruajnë kundër saj dhe kundër kuptimit të fjalës la ilahe il-lAllah dhe domethënies së saj: “(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!”. Nahl 25.

Nga domethënia e fjalës la ilahe il-Allah dhe nga e drejta e saj mbi atë që e shqipton është edhe falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit, kryerja e Haxhit për atë që ka mundësi të shkon, dhe të vepruarit me adhurime ndaj Allahut dhe të larguarit nga gjynahet.

Sot jemi dëshmitar të disa njerëzve që e shqiptojnë këtë fjalë, mirëpo nuk e falin namazin, apo nuk e japin zeqatin. Kanë ardhur shumë argumente, se ai që nuk e fal namazin nuk është nga muslimanët.

Allahu i Madhëruar thotë: “Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë i lini të qetë!”. Teube 5, dhe poashtu : “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe”. Teube 11.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Mes robit dhe kufrit, është lënia e namazit”.

Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, disa grupe nuk donin t’ia japin zeqatin Ebu Bekrit, dhe Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, dhe sahabët tjerë i luftuan edhe pse ata e shqiptonin la ilahe il-lAllah, ngase zeqati është nga e drejta e fjalës la ilahe il-lAllah.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nëse ata e shqiptojnë, nga unë e kanë të garantuar gjakun dhe pasurinë e tyre, përveç se atëherë kur duhet me të drejtë”.

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, është pyetur se disa njerëz thonë se kush thotë la ilahe il-lAllah hyn në Xhenet. Imami tha: Kush thotë la ilahe il-lAllah dhe ia jep hakun dhe detyrimet e saj, hyn në Xhenet.

E pyetën njërin nga selefi se a nuk është la ilahe il-lAllah çelësi i Xhenetit? Tha: Po, mirëpo çdo çelës i ka dhëmbët e veta. Nëse vjen me çelës që i ka dhëmbët, e hap derën, e nëse vjen me çelës pa dhëmbë, atëherë ajo nuk do të hapet.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd”. Muhamed 19.

Allahu në këtë ajet na urdhëroi me dituri para thënies dhe veprës, ngase vepra e cila nuk bazohet mbi dituri të saktë, është e devijuar.

Allahu i Madhëruar thotë. “Ata që u adhuruan në vend të Allahut, nuk do të mund të ndërmjetësojnë për askënd, përveç atyre që dëshmuan për të Vërtetën dhe e dinë mirë (se s’ka Zot tjetër të vërtetë veç Allahut)”. Zuhruf 86.

Që nënkupton se ata dëshmuan në njësimin e Allahut duke thënë: la ilahe il-lAllah, dhe ata ” e dinë mirë”, me zemrat e tyre dhe e kuptuan atë që e dëshmuan me gjuhët e tyre.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU