Home ZGJODHËM PËR JU Tregimi për një vajzë, e cila deshi të blejë një mrekulli, për...

Tregimi për një vajzë, e cila deshi të blejë një mrekulli, për ta shëruar vëllanë e saj

Turizmi hallall po bëhet gjithnjë e më i fortë në botë
Vajza e vogël po qëndronte pranë derës së dhomës së vëllait të saj të sëmurë, dhe po dëgjonte bisedën e prindërve të saj.

Babai po i thoshte nënës: “Çka të bëjmë? Djali ynë është duke vdekur. Ai ka nevojë për operacion kirurgjik urgjent në trurin e tij, kurse ne nuk kemi para. Jeta e tij është në rrezik, kush do ta shpëtojë djalin tonë?”

Nëna, me lot në sy, iu përgjigj: “Situata është shumë e rëndë dhe vetëm mrekullia mund ta shpëtojë atë.”

Vajza e vogël nuk mundi ta përballojë atë skenë, kështu që me shpejtësi shkoi në dhomën e saj, e hapi kutinë, në të cilën e vendoste kusurin që i mbetej pas blerjes së gjërave të caktuara. Tri herë i numëroi monedhat për tu siguruar saktësisht se sa para kishte në kutinë e saj, dhe secilën herë i numëronte 3 dollarë. I mori paratë dhe, pa i pyetur prindërit e saj, vrapoi deri tek barnatorja afër shtëpisë së tyre.

Atje ajo e takoi farmacistin, i cili po bisedonte me një klient. Pasiqë biseda e tyre u zvarrit dhe ata nuk i kushtuan vëmendje vajzës 6 vjeçare, ajo e goditi tryezën me dorë. Vetëm atëherë farmacisti e pa dhe e pyeti: “Çka dëshiron ti?”

Vajza u përgjigj: “Unë dua një mrekulli!”

Farmacisti tha me habi: “Çka dëshiron?”

Ajo u përgjigj: “Unë dua ta blej një mrekulli për ta shëruar vëllain tim.”

Para se farmacisti të thoshte ndonjë gjë, bashkëbiseduesi i tij e pyeti: “Sa para ke me vete?”

Ajo u përgjigj: “Kam 3 dollarë.”

Burri buzëqeshi dhe e pyeti vajzën: “Pse doni ta blini mrekullinë?”

Ajo tha: “Vëllai im është shumë i sëmurë dhe unë dua ta shëroj.”

Kur ajo i shpjegoi se çfarë sëmundje kishte, klienti i panjohur e dinte se ishte e nevojshme që sa më parë të bëhej operacioni i trurit të vëllait të saj.

Pastaj ai ia shtrini dorën vajzës së vogël dhe e luti që t’ia japë ato të holla që kishte, pastaj i tha: “Çmimi i mrekullisë që po kërkon është saktësisht 3 dollarë.”

Pas kësaj ai doli me vajzën, kurse ajo mendoi se po e dërgonte në ndonjë barnatore tjetër për t’ia blerë asaj mrekullinë. Në vend të kësaj, ai kërkoi adresën e shtëpisë së saj dhe më pas shkoi në shtëpi, u njoftua me prindërit e saj dhe menjëherë e çoi djalin e tyre në klinikën e tij private, sepse ai në të vërtetë ishte neurokirurg. Operacioni kaloi me sukses, dhe djali pas disa ditësh u soll në shtëpi i shëruar.

Prindërit të lumtur falënderuan Allahun për mëshirën e Tij të pakufishme. Nëna i tha babait: “Faleminderit Allahut që na dërgoi mjekun në kohën e duhur, për ta kryer operacionin falas për djalin tonë. Kjo, me të vërtetë ishte mrekulli.”

Vajza e vogël u përfshi në bisedën e tyre dhe i tha nënës së saj: “Nënë, unë e pagova çmimin e kësaj mrekullie, dhe për të i dhashë të gjitha paratë që kisha.”

Nëna e përqafoi vajzën e saj dhe ia shpjegoi asaj se çka do të thoshte në të vërtetë kjo mrekulli, dhe se Allahu i Plotfuqishëm të gjitha i kishte caktuar që vëllai i saj të shërohej.

Kurse çmimi i mrekullisë është dashuria e saj për vëllain e saj, dëshirat dhe lutjet e saj për shërimin e vëllait, si dhe sakrifica e gjithçkaje që posedon për shërimin e vëllait.

Çmimi i mrekullisë është që ne të bëjmë gjithçka që mundemi në një moment të caktuar, kurse pastaj të mbështetemi tek Allahu dhe Atij t’ia dorëzojmë menaxhimin e gjërave dhe rezultatin përfundimtar.

Perktheu: Miftar Ajdin