Home ZGJODHËM PËR JU Tregimi në të cilin shumë nëna do ta gjejnë veten

Tregimi në të cilin shumë nëna do ta gjejnë veten

Tregimi në të cilin shumë nëna do ta gjejnë veten: “biri im, ku po shkon nga unë? a nuk të kam thënë mos më kundërshto dhe mos u bëj i padëgjueshëm?

Vëllezër dhe motra!

Ne të gjithë jemi gabimtarë. Një herë i afrohemi Allahut të Madhëruar, kurse herën tjetër largohemi prej Tij! Njëherë jemi të vetëdijshëm për praninë e Tij, jemi të vetëdijshëm që Ai na mbikëqyrë dhe na ndjek, Ai e di çdo vepër të vogël dhe të madhe që bëjmë ne; ndërkaq, herën tjetër, na pushton pakujdesia dhe harresa jonë ndaj të Lartësuarit, pas së cilës ne pashmangshëm bëjmë mëkat. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Çdo njeri, bir i Ademit, është mëkatar, kurse më të mirët e mëkatarëve janë ata që pendohen.” (Tirmidhiu)

Mëkati, pakujdesia dhe harresa janë të natyrshme për njeriun, por mëshira e Allahut është e madhe, kur këtij njeriu të dobët, ia ka lënë hapur derën e tevbes deri sa të vdesë, duke e urdhëruar që të kthehet te Zoti i tij, sa herë që të mposhtet nga mëkatet e tij.

Nëse nuk do të ishte kjo mëshira e madhe e Allahut, me të vërtetë njeriu, do të ishte në një gjendje të vështirë, dëshira dhe përpjekja e tij për t’u rikthyer te Allahu i Plotfuqishëm, do të ishin thyer, shpresa në faljen dhe mëshirën e Allahut do të ishin ndërprerë.

Subhanallah!!! Sa i bukur është tregimi të cilin e ka përmendur autoriteti i madh islam Ibnul-Kajjim (r.h.), në veprën e tij ‘Medarixhus-salikin’, kur flet për këtë mëshirën e madhe e të jashtëzakonshme të Allahut ndaj njerëzve. Ai tregon:

“Nga njëri nga paraardhësit tanë të mirë, transmetohet se kishte parë në një rrugicë, sesi u hap dera e një shtëpie, dhe një djalë i vogël doli prej saj duke bërtitur, duke qarë dhe duke kërkuar ndihmë. Pas tij ishte nëna e cila po e dëbonte. Pasi që e përzuri jashtë, ajo e përplasi derën para fytyrës së tij dhe e mbylli. Djali i vogël u nis, i hodhi disa hapa dhe u ndal. Filloi të mendonte. Nuk dinte, përveç shtëpisë së tij nga e cila u dëbua, asnjë shtëpi tjetër, e cila do t’i ofronte strehim. Ai nuk njihte askënd tjetër që mund ta pranonte. përveç nënës së tij.

I pikëlluar, me zemër të thyer, ai u kthye përsëri në derën e shtëpisë së tij. Duke e gjetur të mbyllur, u shtri para saj, e vuri fytyrën në prag të derës dhe e zuri gjumi. Pas një kohe, dera u hap dhe në derë doli nëna. Duke e parë djalin e saj të vogël duke fjetur me fytyrë të mbështetur në pragun e derës, ajo nuk mundi të përmbahej pa e marrë në krahë. E mori në krahë, e puthi dhe tha:

‘Biri im, ku po shkon nga unë? Kush do të ofrojë strehim pos meje?! A nuk të kam thënë që të mos më kundërshtosh dhe mos të më bëhesh i padëgjueshëm? A nuk të kam thënë që me sjelljen tënde të mos më detyrosh të veproj në kundërshtim me mëshirën time, kujdesin dhe të mirën që e dëshiroj për ty?’ Pastaj ajo e çoi atë në shtëpi.”

Le të mendojmë për këtë veprim të nënës, për këto fjalë të nënës, kurse pastaj t’i dëgjojmë edhe këto fjalë të Pejgamberit (savs):

“Allahu është më i mëshirshëm ndaj robërve të Tij sesa nëna ndaj fëmijës së saj”.

Përkthim: Miftar Ajdini