Home ZGJODHËM PËR JU Si të sillemi në situata të fitnes dhe të çrregullimit?

Si të sillemi në situata të fitnes dhe të çrregullimit?

Hfz. Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

“O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Kur’an, 102).

“E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” (Kur’ani, 63).

Ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, afër apo larg nesh, në nivel lokal dhe global, kanë bërë që muslimanët të jenë në qendër të vëmendjes, por edhe të reagimit. Madje kështu edhe duhet, muslimani nuk i vështron ngjarjet përreth vetes duke i mbyllë sytë. Ai në raste të tilla është shumë i kujdesur dhe mundohet të mbledh sa më shumë informacione, botërore apo fetare qofshin ato, në mënyrë që në raste të tilla, të dijë si të veprojë.

Megjithatë, ashtu sikurse në shumë raste ka kufizime, edhe te reagimet e muslimanit ndaj ngjarjeve që e rrethojnë, ka një kodeks dhe një mësim që duhet ta ketë parasysh.

Muslimanët e sodit, si në botën reale ashtu edhe në atë virtuale, të internetit pra, çdo ditë e më tepër janë duke u zhytur në detin e debateve dhe të konflikteve, të cilat janë si rezultat i komentimeve të ngjarjeve aktuale, e që është shumë e rezikshme, për shkak se çon në përçarjen midis muslimanëve dhe të degradimit të tyre shpirtëror.

Zgjidhja për situata të tilla duhet kërkuar në Kur’an dhe në sunnetin e Muhammedit a.s. Ajo që unë sot dua t’ua jap, në këtë ditë të bekuar xhumaje, është mësimi profetik i cili shumë qartë na mëson dhe edukon se si të sillemi në raste kur jemi të dobët, kur sulmohemi dhe kur jetojmë në kohë të qartë të fitnes dhe mbulimit të erret të informacioneve.

Në përmbledhje të haditheve, në kapitujt që flasin për fitnet dhe çrregullimet, është shënuar një hadith i Muhammedit a.s., i cili, në pyetjen që ishte shtruar nga shokët e tij, se si të veprojnë në situata të vështira të fitnes dhe propagandës, ai ishte përgjigjur kështu: “Ruaje gjuhën tënde, shtëpia jote le të jetë e mjaftueshme për ty, dhe qaje mëkatin tënd.” (Imam Tirmidhiu, Ahmedi, nga Ukbe b. Amir).

Ruaje gjuhën tënde: Me këto fjalë qartë shihet se sa e rrezikshme mund të jetë gjuha në situata të fitnes dhe përçarjes, madje mund të jetë edhe shkaktari kryesor i rrëmujës dhe fesadit. Rreziku i gjuhës në kohën e sodit mund të etablohet në drejtime të ndryshme, sikur që janë mediumet e shkruara, apo edhe kyçja e drejtpërdrejtë në debate gojore. Në këtë kuptim hyn edhe biseda jonë që mund të jetë me njëri tjetrin, në qarqe familjare apo shoqërore qofshim. Sidomos duhet të kursehen fëmijët nga bisedat e tilla, nga shkrimet dhe qasja e tyre në rrjetet sociale. Pra, le ta ruajmë qenien tonë, duke ruajtur gjuhën tonë.

Shtëpia jote le të jetë e mjaftueshme për ty: Me këto fjalë, sikur donë Muhammedi a.s., të na tregojë se në kohë të sprovave, fitnes dhe çrregullimeve, nuk duhet të qëndrojmë pa nevojë në rrugë, respektivisht të mos marrim pjesë në grupime të caktuara që shkaktojnë parregullsi dhe çrregullim. Madje, sikur që kanë ndryshuar kohërat, kanë ndryshuar edhe rreziqet. Kështu që, duhet gjithashtu, të ndalojmë së keqpërdoruri internetin, sepse sot më së shumti mund ta dëmtojmë vetveten, familjen dhe fëmijët prej dhomës ku edhe jetojmë, ushqehemi apo flejmë.

Qaji mëkatet e tua: Muhammedi a.s., me këto fjalë u tregon muslimanëve, besimtarëve, se duhet, në radhë të parë, të merren dhe të preokupohen me të metat e tyre personale, të reflektojnë mbi vetveten, e jo të merren me të metat dhe gabimet e të tjerëve. Për të mos ardhë tek më e keqja, e t’i japim të drejtë vetvetes për të folur për çështje që nuk na takojmë, le t’u japim përparësi dijetarëve, njerëzve tanë të ndritur, që kanë përgatitje për fusha të caktuara dhe t’i ndjekim mësimet dhe këshillat e tyre.

Vëllezër dhe motra të nderuara, sot jetojmë në një kohë ku lufta po merr përmasa të mëdha dhe alarmante. Vrasjet më nuk janë larg nesh, ato mund të ndodhin gjithandej, andaj, le të jemi të kujdesshëm që mos futemi në lojëra të errëta dhe të rrezikshme, e që as vdekja nuk do të na shpëtojë. Muslimanët kanë luftuar gjatë gjithë historisë, por këto akte barbare që ndodhin në vende dhe mbi njerëz të pafajshëm, asnjëherë nuk kanë ndodhur e të kenë bekimin e profetit dhe të muslimanëve të arsyeshëm.

Vërtetë Allahu në Kur’an thotë: “Luftoni ata që ju luftojnë”, por ai pas kësaj, vazhdon e thotë: “Mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë.” (Bekare, 190). Këto fjalë të Allahut asnjëherë nuk e humbin kuptimin dhe rëndësinë. Dijetari i shquar Abdullah ibn Abbasi, në komentin e këtij ajeti dhe të fjalës “ve la te’atedu – mos e teproni”, thotë se e ka kuptimin: “Mos i vritni gratë dhe fëmijët.”

Për në fund, dëshiroj ta potencojë edhe hadithin e mirënjohur të Muhammedit a.s., i cili thotë: “Njeriu më i dashur te Allahu xh.sh., është ai i cili më së shumti ju bën dobi njerëzve.”

(Islampress)