Home ZGJODHËM PËR JU Si i fshin agjermi gjynahet dhe cfare shperblimi ka agjerim ne muajin...

Si i fshin agjermi gjynahet dhe cfare shperblimi ka agjerim ne muajin e Ramazanit

AGJЁRIMI SHLYEN GJYNAHET

Allahu i Lartёsuar thotë: “Sigurisht, pasuria dhe fёmijёt tuaj janё vetёm sprovё, ndёrsa tek Allahu ёshtё shpёrblimi i madh.” [Tegabun 15]. Po ashtu, nё suren Enbija, ajeti 35: “Ne ju sprovojmё me vёshtirёsi e kёnaqёsi, dhe ju në fund ktheheni tek Ne”. Ibn Abbasi (r.a.) shpjegon këtë ajet: “Ju sprovojmё me vёshtirësi dhe komoditet, shёndet dhe sёmundje, me pasuri dhe fukarallëk, me tё lejuara dhe tё ndaluara, me bindje dhe rёnie nё gjynahe, me udhëzim dhe humbje.”[1]

Hudhejfja (r.a.) tregon se, njëherë, Omeri (r.a.) tha: “Kush mban mend ndonjё fjalё tё Pejgamberit (a.s.) rreth sprovës?” – “Unё – tha Hudhejfja – e kam dёgjuar atё (a.s.) të thotё: “Sprovimin me rёnie nё gjynahe, pёr shkak tё familjes, pasurisë ose fqinjëve e shlyen namazi, agjёrimi dhe sadakaja.”[2]

Ebu Hurejra (r.a.) përcjell nga Pejgamberi (a.s.): “Zoti i juaj ka thёnё: “Pёr çdo punё të keqe (gjynah) ka shlyerje. Agjёrimi ёshtё pёr Mua dhe Unё shpёrblej pёr tё”.[3]

Nga imam Ahmedi (Allahu e mёshiroftё!) vjen kështu ky hadith: “Çdo punё e mirë është shlyerje gjynahesh. Agjёrimi ёshtё pёr Mua dhe Unё shpёrblej pёr tё”.[4] Edhe nё njё transmetim tjetёr qëndron: “Çdo punё e mirë është shlyerje gjynahesh, pёrveç agjёrimit, i cili ёshtё i Imi dhe Unё shpёrblej pёr tё”.[5]

Përcillet nga Ebu Hurejra (r.a.) se Pejgamberi (a.s.) ka thёnё: “Pesё namazet, xhumaja deri nё xhumanё e ardhshme, ramazani deri nё ramazan, i shlyejnё gjynahet qё bёhen mes tyre, nёse shmangen gjynahet e mёdha.”[6]

Nga Ebu Seid el Hudriu (r.a.) përcillet se ka thёnё: “E kam dёgjuar Pejgamberin (a.s.) të thotё: “Kush e agjёron ramazanin dhe i njeh caqet e tij, të cilat nuk duhet t’i tejkalojë, dhe ruhet nga ato qё i takon tё ruhet (si: gënjeshtra, përgojimi e të tjera gjynahe), i fshihen gjynahet e mёparshme”.[7]

Mësime dhe dispozita

1- Njeriu mund tё vihet në provë me tё mira dhe me tё këqija. Të mirat që vijnë si provë mund të jenë: shtimi i pasurisё, sukseset e njёpasnjёshme etj. Të këqija janё problemet si mёrzia, lodhja, sёmundjet etj.

2- Fёmijёt dhe pasuria janё sprovё pёr njeriun, pasi ai mund tё shkelë disa norma për shkak të tyre, dhe kështu ato bёhen shkak pёr dёnimin e tij nё botёn tjetёr. Allahu i Urtë ka caktuar gjithashtu detyrime ndaj fëmijëve, për shembull, si edukimin apo kujdesin shëndetësor e financiar për ta. Nёse nuk i përmbush kёto detyrime, atёherё ёshtё gjynaqar.[8]

3- Gjynahet janё sprova. Kush bën një gjynah, në fakt, ka rënë në sprovë, dhe kjo mund tё ndodhë edhe me njerёzit e mirё.[9] Allahu i Lartësuar thotë nё Kuran: “Ata qё i frikёsohen Allahut kur u vjen ndonjё mendim i lig nga shejtani, kujtojnё Atë, e atёherё shohin rrugёn e drejtё.” [Araf 201]. Ose: “…Ata tё cilёt, kur bёjnё vepra tё turpshme ose i bёjnё padrejtësi vetes, kujtojnё Allahun dhe i kёrkojnё falje pёr gjynahet e tyre – e kush i fal ghynahet pёrveç Allahut?! – dhe nuk ngulmojnё me vetёdije nё gabimet e tyre” [Al-Imran 135].

4- Kush bën njё gjynah në mënyrë të vazhdueshme, duhet të shtojё veprat e mira, sepse, siç thotё Allahu i Lartёsuar: “Veprat e mira i shlyejnё të kёqijat” [Hud 114]. Ndoshta shtimi i veprave tё mira bёhet shkak qё tё lirohesh nga robёria e gjynahut dhe që Zoti të të japё sukses pёr njё pendim tё pranuar.

5- Agjёrimi fshin gjynahet. Në hadithin e Ebu Hurejres, qё duket sikur e mohon këtë fakt, qёllimi ёshtё se: veprat e mira janё fshirje gjynahesh, pёrveç agjёrimit, i cili jo vetëm që fshin gjynahet, por edhe rrit shpёrblimin. Fjala është për agjёrimin që bёhet me sinqeritet për Allahun, larg syfaqёsisë dhe formave të tjera tё shirkut.[10]

6- Imam Neveviu (Allahu e mёshiroftё!) shpjegon: “Nёse vetëm abdesi i fshin gjynahet, atёherё po namazi, çfarё fshin?! Nёse namazi vetëm i fshin gjynahet, atëherё po namazi me xhemat?! Po ramazani, agjёrimi ditёn e Arafatit dhe ditёn e Ashures, po kur thua ‘Amin’ njëherësh me melekët pas leximit të Fatihas nga imami!’ pas Fatihasë, mё lutjen e melekëve?!

Pёr tё gjitha veprat e përmendura më lart kanё ardhur dëshmi se ato i fshijnë gjynahet. Dijetarёt përgjigjen se, secila prej tyre shёrben pёr fshirjen e gjynaheve. Nёse ka gjynahe të vogla, ato e fshijnë. Nëse nuk ka as gjynahe tё vogla, as tё mëdha, besimtarit i shkruhen si vepra tё mira dhe ngrihet nё grada. Nëse ka gjynahe tё mёdha, shpresohet qё veprat e mira mund ta lehtёsojnё peshën e tyre”.[11]

7- Cënimi i të drejtave të njeriut nuk falet me kёto vepra, qoftë shkelja e të drejtës njerëzore gjynah i madh apo i vogël, por duhet së pari t’i shlyesh detyrimin tjetrit ose t’i kërkosh që të ta falë padrejtësinë që i ke bërë.[12]

8- Hadithet tregojnë mirёsinë e agjёrimit, që ёshtё shkak pёr faljen e gjynaheve.

9- Këto mirësi i pёrfiton ai i cili e ruan agjёrimin e tij nga gjёrat qё e prishin atё, siç thotë hadithi: “Kush e agjёron ramazanin dhe i njeh caqet e tij dhe ruhet nga ato qё i takon tё ruhet, i fshihen gjynahet e mёparshme”. Pёr kёtё arsye, muslimani duhet të ruhet ditën dhe natёn nga pёrgojimet, thashethemet, shikimi nё harame, ndjekja e programeve televizive plot me harame, qofshin ato seriale filmash apo shfaqje argёtuese, tё cilat shtohen nё muajin e ramazanit mё shumё se nё muajt e tjerё.

E lus Allahun e Madhëruar qё tё na udhëzojё tё gjithёve tek e mira dhe e drejta!

[1] Tefsijr Ibn Kethijr (3/286).

[2] Buhariu (1796) dhe Muslimi (144).

[3] Buhariu (7100) dhe Ahmedi (2/504).

[4] Ahmedi (2/457) dhe Tajalisi (2485).

[5] Sjellë nga Ibn Rahavejh (58) . El Hejthemi nё Mexhmeuz-zevaid (3/179 ) pohon se e shënon edhe Ahmedi, duke shtuar se transmetuesit e tij janё tё saktё. Edhe Ibn Haxheri e quan të saktë nё Fet’h (4/109).

[6] Muslimi (233).

[7] Ahmedi (3/55), Ebu Je’ala (1058) dhe Bejhakiu (4/304). Ibn Hibbani e vlerëson si të saktë (3433). [Hadithi është i dobët për shkak të një njeriu të panjohur në sened (Silsile daife: 5083)]

[8] Shiko: Sherh Ennevevi ala Muslim (2/171).

[9] Ettemhijd i Ibn Abdulberr (17/ 394).

[10] Shiko: El Fet’h (4/111).

[11] Sherh En Nevevi (3/113) dhe Eddijbaxh ala Muslim (2/17).

[12] Shiko: Tenvijru Havalik (2/42) dhe Tuhfetul Ehvedhij (1/535).

Titulli i Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin

Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl

©xhamiambret.com