Home ZGJODHËM PËR JU Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që...

Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që e kemi zbritur nga qielli

Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që e kemi zbritur nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen bimët e tokës (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.

(Junus, 24)

Kur e krahasojmë jetën e kësaj bote me atë të botës tjetër e cila është e përjetshme, shohim se kjo botë është si uji i shiut që rrjedh për një farë kohe dhe ndërpritet duke humbur në tokë. Mirëpo në sajë të tij gjelbëron natyra dhe prej tij kanë dobi njerëzit dhe kafshët. Ndërsa njeriu e fiton xhenetin dhe xhehenemin në sajë të punëve të mira apo të këqija që bën në këtë botë. Qëndrimi i përjetshëm në këtë botë as që bëhet fjalë. Jeta e kësaj bote është thjesht një sprovë dhe çdo sprovë është e përkohshme. Suksesi në këtë sprovë arrihet duke u përgatitur maksimalisht. Ata që e menaxhojnë këtë jetë sipas mësimeve të Allahut dhe të Dërguarit të tij (a.s.), do të kenë sukses në këtë sprovë. Për të arritur lumturinë e botës tjetër, duhet të ruhesh nga tundimi i kësaj bote dhe të mirave të saj të përkohshme. Kjo nuk do të thotë të mos zotërosh të mirat dhe pasuritë e kësaj bote, por të dish se këto të mira dhe pasuri janë të përkohshme dhe se pronari i tyre i vërtetë është vetëm Allahu Teala. Të punosh dhe të mundohesh për të fituar riskun, të mos ngelesh nevojtar, të jetosh me djersën e ballit dhe të tjera parime të larta dhe fisnike si këto, janë nga mësimet më të rëndësishme të fesë sonë. Ashtu siç shprehet edhe në ajetin fisnik, të gjitha të mirat e kësaj bote, bukuritë dhe pasuritë mund të zhduken sa hap e mbyll sytë. Një besimtar i devotshëm nuk e harron kurrë këtë të vërtetë.