Home ZGJODHËM PËR JU Rreth Pejgamberit – SAL-LALLAHU ALEJHI UE SEL-LEM –

Rreth Pejgamberit – SAL-LALLAHU ALEJHI UE SEL-LEM –

I Dërguari i Allahut (a.s) ishte më i buti i njerëzve, por edhe më trimi dhe më i drejti ndër njerëz. Ai ishte më i përmbajturi ndër njerëz; nuk e preku kurrë dorën e një gruaje ndaj të cilës nuk kishte të drejta. Ai ishte më bujari ndër njerëz, aq sa kurrë një monedhë ari apo argjendi nuk e kaloi natën në shtëpinë e tij. Nëse diçka tepronte në fund të ditës, sepse ai nuk kishte gjetur dikë që t’ia jepte dhe nata binte, ai do të dilte dhe nuk do të kthehej në shtëpi deri sa t’ia kish dhënë atë ndokujt në nevojë. Nga ajo që Allahu i dha, ai do te merrte vetëm ushqimin më të thjeshtë dhe më të kollajtë (për t’u gjetur): hurma dhe elb, duke dhënë çdo gjë tjetër në rrugë të Allahut. Kur iu kërkua ndonjë dhuratë, ai kurrë nuk refuzoi. Ai riparonte sandalet e veta dhe qepte teshat e veta dhe i shërbente familjes së tij dhe i ndihmonte ata të ndanin mishin.

Ai ishte më i turpshmi ndër njerëz, kështu që shikimi i tij nuk mund të rrinte gjatë në fytyrën e ndokujt: Ai do të pranonte ftesën e një njeriu të lirë ose të një skllavi, dhe të pranonte një dhuratë vetëm nëse ajo të mos ishte më shumë se një gllënjkë qumësht ose kofsha e një lepuri dhe t’i jepte diçka dhuruesit. Ai nuk konsumoi asgjë të dhënë për sadaka (lëmoshë). Ai nuk ishte shumë krenar qe t’i kundërpërgjigjej një vajze skllave ose një varfanjakeje me lecka. Ai mund te nevrikosej për hir te Zotit të tij, kurrë për veten e tij; ai do të bënte të mbizotëronte e vërteta dhe drejtësia edhe nëse kjo do të çonte në mos rehati për atë ose për shokët e tij.

A kishte zakon të ngjiste një gur në bark për të përballuar urinë. Ai do të hante çfarë t’i sillej dhe nuk do të refuzonte asnjë ushqim të lejuar. Nëse kishte hurma pa bukë, ai do të hante, nëse do të kishte mish të pjekur, ai do të hante; nëse do të kishte vetëm bukë të fortë, ai do të hante; nëse do të kishte mjaltë ose diçka të ëmbël, ai do të hante; nëse do të kishte vetëm kos pa bukë, ai do të ishte krejt i kënaqur me atë.

Ai nuk u ngop as me bukë elbi, për tre ditë rresht, deri në ditën që takoi Zotin e tij, jo për varfërinë e tij apo koprracinë, por sepse ai preferonte të tjerët para vetes.

Ai do të shkonte në dasma dhe do të vizitonte të sëmurët dhe të shkonte në varrime dhe shpesh do të kalonte përmes armiqve të tij pa një roje. Ai ishte më i përuluri ndër njerëzit dhe më i kthjellti, pa arrogancë. Ai ishte më i shprehuri ndër njerëzit, duke mos folur kurrë tepër gjatë. Ai ishte më i gëzuari ndër njerëzit. Ai nuk i frikësohej asgjëje të kësaj bote. Ai vishte një si mantel Jemeni, ose një tunikë prej leshi; ai do të vishte çdo gjë që ishte e ligjshme dhe praktike. Ai do të ngiste çdo kafshë që t’i vinte për mbarë: ndonjëherë një kalë, ndonjëherë një deve, ndonjëherë një mushkë, ndonjëherë një gomar. Dhe nganjëherë ai do të ecte zbathur, pa një veshje të sipërme ose pa çallmë ose pa mbulesë koke. Ai do të vizitonte të sëmurët edhe nëse ata do të ishin në pjesën më të largët të Medines. Ai pëlqente parfumet dhe nuk pëlqente erërat e këqija.

Ai mbajti lidhje të ngrohta dhe besnike me të afërmit e tij, por duke mos preferuar ata në vend të ndokujt që ishte më superior se ata. Ai nuk shpërfilli kurrë njeri. Ai pranonte pendesat e kujtdo që kërkonte falje. Ai bënte shaka, por nuk do të thoshte kurrë diçka që nuk ishte e vërtetë. Ai qeshte, por jo zhurmshëm. Ai ndiqte lojëra të lejuara dhe sporte dhe nuk do t’i kritikonte ato. Ai do të bënte gara me gratë e tija. Zërat mund të ngriheshin rreth tij, dhe ai ishte i durueshëm. Ai merrte delen nga e cila milte qumësht për familjen e tij. Ai ecte përmes fushave të shokëve të tij. Ai nuk përbuzi kurrë ndonjë varfanjak për varfërinë apo sëmundjen e tij; as nuk frikësoi ndonjë mbret vetëm sepse ai ishte një mbret. Ai thërriste të pasurit dhe të varfrit për tek Allahu, pa dallim.

Tek ai, Allahu kombinoi të gjitha tiparet fisnike të karakterit; ndonëse kurrë nuk lexoi apo shkroi, duke qenë se u rrit në një vend injorance dhe shkretëtirash varfërie, si një bari, dhe si një jetim pa baba dhe pa nënë. Por Vetë Allahu i mësoi atij të gjitha cilësitë e shkëlqyera të karakterit, dhe mënyrat e lëvdueshme, dhe historitë e profetëve të hershëm dhe të mbramë, dhe rrugën për tek shpëtimi dhe triumfi në Ahiret, dhe të shijimit të veçimit në dynja, dhe si të qëndrohet fort në kryerjen e detyrimeve, dhe si të anashkalohet e panevojshmja. Dashtë Allahu të na japë sukses në bindjen ndaj tij, dhe në ndjekjen e Sunetit të tij. Amin ja rabbi al-alamin.

Muhamed El-Gazali