Home ZGJODHËM PËR JU PYETJE PËR JETËN

PYETJE PËR JETËN

1.Si kaloi ky vit me të ëmblat dhe të hidhurat e tij? Ti, a ishe i kënaqur me veten gjatë këtij viti?

2.Si ishte llogaria e vetvetes gjatë tërë vitit, çdo ditë, çdo javë, në çdo fatkeqësi dhe ndodhi?

Ke harruar ose neglizhuar apo të ka ikur llogaria gjatë tërë vitit?

3.Si ishe ti gjatë ditëve të vitit, i fortë si guri apo i dobët si kashta?

A ishe si rrasa e gurit dhe i përballove valët e epsheve dhe dyshimeve në mënyrë stoike?

Apo ishe si fija e kashtës, kështu që erërat dhe rrymat e epsheve dhe dyshimeve të hamendën?

4.Si ishte puna e epsheve këtë vit?

A ke pasur për qëllim prej dynjasë vetëm kafshatën e ngrënë, pijen që pi, shokun, shoqen, vetëm ngopjen e epshit dhe dëshirave? Apo dominoi qëllimi i ahiretit?

5.Gjatë këtij viti çfarë të ka munduar: pozita e shkuar, pasuria e humbur, shqetësimet e njerëzve, apo pakësimi i fesë, neglizhimi i zemrës, rënia e adhurimeve?

6.Viti të ka sjellë gëzime të shumta apo edhe hidhërime?

Çfarë të ka shqetësuar më shumë dhe çfarë të ka gëzuar më shumë?

A ishte çështje e ahiretit apo e dynjasë?

7.Çfarë të ka preokupuar më tepër gjatë vitit?

A ke mbjellë diçka për ahiret apo je munduar vetëm për dynja, për epshet dhe për njerëzit?

8.Ç’mendon për punët e tua të mira gjatë vitit, a janë shtuar dhe a janë përmirësuar?

Më saktë, cilat janë shtuar dhe cilat ke përmirësuar (namazin, zemrën…)?

9.Cili ka qenë morali (ahlaku, sjellja) jote gjatë këtij viti në raport me të tjerët?

A ke qenë më i butë, më i mëshirshëm apo më i vrazhdë dhe më i egër?

10. Si ka qenë puna e dashurisë dhe e urrejtjes në zemrën tënde?

Dashuron pasurinë, gratë, pozitën, veten…? Dashuron Allahun, adhurimin, Kuranin, të mirën për të tjerët, fenë…?

11.Çfarë ke përmirësuar nga defektet e viteve të shkuara?

Lidhjet e tua me prindërit, vëllezërit, të afërmit si kanë qenë këtë vit?

12.Në sferën e hallallit dhe të haramit, a ke fituar njohuri fetare mbi rregullat e hallallit dhe të haramit? Në jetën tënde a është shtuar hallalli apo harami? Po në pasuri, mendime, lidhje, zemër…?

13.Gjatë këtij viti si i ke marrë fetvatë dhe dispozitat: je përqendruar në ato që janë më të fuqishme dhe më të argumentuara, apo ke marrë ato që janë më të lehta dhe fetvatë ua ke përshtatur epsheve?

14.Mbi njohuritë fetare, cili ka qenë roli yt gjatë këtij viti?

A ke mësuar diçka të re nga tefsiri, fiku, hadithi, akideja? A ke ndihmuar në ndonjë rast në shpërndarjen e diturisë, me ndonjë mënyrë, duke ndihmuar ndonjë student, hoxhë, duke shpërndarë apo botuar ndonjë libër?

15.A mendon që ky vit ishte i favorshëm për të realizuar një metodologji jetësore?

A je i gëzuar për planin që ke hartuar për të përmirësuar fenë dhe jetën tënde?

Apo i ke lënë punët që të ecin pa strategji, duke të shkuar ymri?

16.Sa u përket lidhjeve familjare, të drejtat ndaj tyre a i ke kryer dhe sa për qind?

Po të drejtat e tua ndaj Allahut, si: ibadeti, namazi, dhikri, dashuria?

Po të drejtat ndaj gruas, fëmijëve, prindërve, familjarëve, fqinjëve?

17.Sa e ke ruajtur shikimin apo fare nuk e ke ndalur veten?

18.A ke rritur dëshirën për epsh në zemrën tënde apo e ke zvogëluar dhe ke urryer mëkatet?

19.A e ke ndaluar gjuhën tënde apo ke folur shumë?

20.A e ke udhëzuar dikë në të mirë? A ke urdhëruar në të mirë? A ke këshilluar dikë? A ja ke mësuar dikujt diçka të mirë?

21.A e ke penguar të keqen? A ke tërhequr vërejtjen prej saj? A ke kontribuar për ta larguar mëkatin? Po mëkatin që e sheh, a e urren?

22. Sa u përket mëkateve të zakonta, sa je larguar prej tyre? Prej sa gjynaheve je larguar e më pas prapë je kthyer? Sa gjynahe ke bërë gjatë këtij viti, përafërsisht sa është numri i tyre?

23.A mendon se gjatë këtij viti ishe model për mirësi dhe thirrës në Islam me sjelljet e tua, me veprimet e tua, me buzëqeshjen tënde dhe qëndrimin tënd? Apo i ke motivuar të tjerët për të bërë gjynahe dhe ke penguar nga rruga e Allahut të Lartësuar?

24.Gjatë vitit kanë kaluar disa beteja: beteja me shejtanin që të ka shtyrë në mëkate dhe beteja me nefsin që të ka urdhëruar në të këqija. A e mban mend sa herë e ke mundur shejtanin dhe nuk ke vepruar atë që të ka ftuar të bësh? A e mban mend sa herë e ke mundur nefsin dhe nuk ke shkuar pas tij?

25.A e ke luftuar nefsin dhe shejtanin njëmend apo nuk të ka shkuar në mendje një gjë e tillë?

26.Si e sheh veten: më të butë, më të mirë dhe më afër të vërtetës dhe ke dashurinë për të ecur drejt rrugës së Allahut të Lartësuar, apo je në të njëjtën pozitë me një vit më parë? A je më i shpejtë për të shkuar në makete dhe për t’iu përgjigjur epsheve?

27.Një pyetje konkrete: a e ke ngopur nefsin? Kërkoj mbrojtjen e Allahut që të më ruajë prej nefsit që nuk ngopet!

A je ngopur me pasuri? A je ngopur me gratë? A je ngopur me gjumë? A je ngopur me ushqime? A je ngopur nga lavdërimet? A je ngopur prej shokëve e miqve që janë pranë teje?

Kur do të ngopesh?!

Muhamed Husejn Jakub

Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu