Home ZGJODHËM PËR JU PËRSE PRESIM GJITHMONË?

PËRSE PRESIM GJITHMONË?

Teksa me duart e tij të vogla po mbante vishnjat që i kishte mbledhur gjyshi, shikoi me kuriozitet sytë e plakur të tij dhe i tha: “Gjysh, përse kemi pritur muaj të tërë për të ngrënë vishnjat? Unë dua që të ha vishnje gjithmonë…” Gjyshi po shikonte larg në horizont, pas degëve të gjelbra… Tashmë pyetjen “Përse presim gjithmonë?” po e dëgjonte nga nipi i dashur, të cilin e kishte pritur për nëntë muaj që të dilte nga barku i nënës e të ndriçonte botën… Përse?.. Teksa gjyshi e merrte nipin e vet në prehër, ata po niseshin për një udhëtim nga bota makro për në atë mikro, një udhëtim gjysh-nip…

Prej ku duhet të fillonte? Cili “frut” ishte pritur për herë të parë? Syri i gjyshit shikonte shekujt më përpara, në momentin e parë të filmit tonë, në momentin e krijimit të universit… Për një çast i shkuan sytë tek nipi që po hante vishnje dhe i tha: “Trimi im, thuaj Bismilah. Sepse lulja e parë që lulëzoi në univers dhe fruti i parë që u poq, ishin vetë krijimi i gjithësisë pas ‘bëhu! dhe ajo bëhet.’” (Jasin, 82)

Gjyshi vazhdoi të shikonte buzëqeshjen e skuqur të nipit teksa po i shpjegonte për një pritje që filloi 13,7 miliarda vite më përpara. Shkenca dhe teknologjia vazhdonin të bënin kërkime në lidhje me këtë temë, gjyshi fliste me gjuhën e Kuranit. I tregonte se si qielli dhe toka që kishin qenë të ngjitur, u ndanë prej njëri-tjetrit (Enbija, 30), fliste për miliona vitet kur njeriu nuk ishte krijuar akoma, bile nuk ishte as qenie e denjë për t’u përmendur. (Insan, 1) Më pas kalonte tek kalimi i frytit më origjinal dhe unik, të njeriut…

“A do të dëshiroje që pema e vishnjës të jepte fruta vetëm një herë në dyzet vite?”- pyeste gjyshi… “Jo, unë dua që të ha vishnje në çdo stinë”- ngërdheshej nipi. Gjyshi kishte marrë përgjigjen e dëshiruar. “Allahu ka krijuar bimë që çelin lule vetëm një herë në dyzet vite. (Agave Franzosini). Sikur edhe pema e vishnjës të kishte të njëjtën cilësi, ti do ta shijoje këtë pemë të xhenetit, vetëm një herë në jetë.”

“A i do shumë fluturat?”- ishte pyetja e dytë. Gjyshi e dinte shumë mirë se sa kishte qarë nipi nga hidhërimi i fluturës (Luna moth) që gjeti në oborr e që ngordhi pas disa ditësh. Sa mirë që kishte ardhur vera e mund të vraponte me gëzim pas fluturave. “A e di se Allahu ka krijuar një flutur që lind vetëm një herë në 17 vite dhe vdes brenda pak ditësh? (Cicadas) A do të doje të kaloje plot 17 vite duke pritur fluturat e tua të dashura e pastaj ato të zhdukeshin brenda pak ditësh?” Dukej qartë që nipi nuk e donte një gjë të tillë…

“Ja pra, që prej krijimit të universit, ne i kemi pritur vazhdimisht këto ‘fruta’ të mira e të bukura. Kjo nuk është bota ku mund të kemi çdo gjë. Njeriu që mërzitet, sepse nuk i plotëson dot disa prej dëshirave të tij, do të mërzitet përsëri kur dëshira të plotësohet e pastaj të largohet. Pra, kjo botë është njoftim i jetës së përjetshme. Shija e vërtetë e vishnjave që ti mezi i pret, nuk është ajo që të ngel në gojë por shija që të mbet në zemër, ajo që të tregon se kjo që sapo provove është vetëm një shembull i atyre që të presin në një kopsht të pafund. Lulet që çelin për t’u vyshkur pas disa kohësh, janë pëshpëritja e kopshtit të përjetshëm, të atij që nuk vyshket kurrë. Mos u mërzit nga largimi i fluturave, bukuria e flatrave të tyre është një kujtim i vogël i fluturimit të përjetshëm në bahçen e lumturisë…”

“Do të bëj një pyetje të fundit”- i thoshte gjyshit teksa dielli po perëndonte dhe po përgatiteshin për të shkuar në shtëpi. “Cili është fryti më i ëmbël dhe më i bukur, ai i cili i jep jetë gjithkujt që e provon?” … E puthi dhe e përqafoi nipin me dashuri… “Ai fryt është Pejgamberi ynë i nderuar (a.s.)… Ai i cili u prit me miliarda vite nga vetë gjithësia. Ai është fryti më i bukur…”