Home ZGJODHËM PËR JU Pejgamberi (ﷺ), ka thënë: “Turpi është prej imanit.” (Buhariu)

Pejgamberi (ﷺ), ka thënë: “Turpi është prej imanit.” (Buhariu)

Pejgamberi (ﷺ), ka thënë: “Turpi është prej imanit.” (Buhariu)

Ndër veçoritë kryesore që e dallojnë njeriun nga të gjitha krijesat e tjera janë vlerat morale. Qëllimi i dërgimit të të gjithë profetëve ka qenë përsosmëria morale e shoqërisë. Një ndër vlerat morale shumë të rëndësishme për myslimanët, por fatkeqësisht e harruar është ndjenja e turpit. Në botën e brendshme të njeriut ekzistojnë disa ndjenja, të cilat e pengojnë njeriun nga rënia në mëkat. Një nga këto ndjenja, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e njeriut nga veprimet e këqija, është ndjenja e turpit. Në Islam turpi është një term moral, i cili shpreh shqetësimin e zemrës nga veprimet e këqija dhe braktisjen e veprave të këqija. Në këtë kuptim, turpi është një vlerë morale e paçmuar. Duke qenë kaq i rëndësishëm dhe i çmuar, Pejgamberi (a.s.), e ka numëruar atë si pjesë organike të besimit. Baza themelore e imanit është besimi në një Zot të vetëm, i cili krijon, din, shikon dhe dëgjon gjithçka. Duke qenë i vetëdijshëm se në çdo moment është nën vëzhgimin hyjnor, besimtari përpiqet me gjithë qenien e tij për të ruajtur veten nga mëkatet. Zhvillimi dhe vazhdimësia e turpit është e varur prej imanit. Turpi e mban njeriun larg prej shumë veprimeve dhe sjelljeve të këqija. Dijetari i shquar Maverdi e ndante turpin në tre pjesë: 1. Turpi ndaj Allahut, 2.Turpi ndaj njerëzve dhe 3. Turpi ndaj vetvetes. Turpi ndaj Allahut konsiston në kryerjen e urdhëresave hyjnore dhe braktisjen e dëshirave të egos. Çdo dëshirë e egos është e dëmshme për njeriun. Personi që nuk plotëson kërkesat e egos dhe turpërohet prej Allahut arrin gradën e devotshmërisë. Turpi ndaj njerëzve konsiston në mosofendimin, në mosfyerjen dhe mosbërjen keq njerëzve të tjerë. Sepse besimtari respekton dhe ushqen ndjenja bamirësie dhe dashamirësie ndaj të gjithë njerëzve. Besimtari nuk ofendon dhe fyen njerëz, përkundrazi ai është model i mirësjelljes dhe hijeshisë. Kurse turpi ndaj vetvetes konsiston në ruajtjen e vetes nga mëkatet në momentet e vetmisë dhe larg syrit të njerëzve. Njerëzit që kanë ndjenjën e turpit ndaj vetes, kanë ndjenjën e turpit edhe ndaj të tjerëve. Turpi e bën njeriun po aq të bukur sa Jusufi (a.s.), kurse paturpësia e bën zemrën e njeriut më të errët se burgu i Jusufit (a.s.). Turpi e bën njeriun monument të nderit si Merjemen. Përmes turpit fiton lëvdimet e Pejgamberit (a.s.), por si Uthmani (r.a.), prej të cilit turpëroheshin edhe melekët. Pra, turpi është ndjenjë e natyrshme e njeriut dhe burimi i tij është besimi, sepse vazhdimësia dhe zhvillimi i kësaj ndjenje sigurohet përmes distancimit të veprave të këqija dhe zbatimit të vlerave morale në jetë. Gjendja e përsosmërisë, e devotshmërisë dhe fisnikërisë arrihet përmes turpit, sepse ai është burim i gjithë mirësive.
Mësimet që nxjerrim nga hadithi: 1. Turpi është pjesë e besimit. 2. Turpi është në natyrën njerëzore. 3. Turpi e siguron zhvillimin dhe vazhdimësinë prej imanit. 4. Turpi e ndalon njeriun nga veprimet e këqija dhe e nxit për vepra të mira.