Home ZGJODHËM PËR JU Pas Çdo Sprove, Vjen Lehtësimi

Pas Çdo Sprove, Vjen Lehtësimi

Falënderimi i përket Allahut (xh.sh), Krijuesit të botëve. Prej Tij kërkojmë ndihmë, udhëzim e falje. Allahut (xh. sh) i kërkojmë mbrojtje prej së keqes së vetes sonë e për punët tona të liga. Atë që Allahu (xh.sh) e ka udhëzuar, nuk ka kush e nxjerr nga udha e drejtë dhe atë, që e ka nxjerrë nga kjo udhë, nuk ka kush ta udhëzojë tjetër veç Tij. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër të adhuruar veç Allahut (xh.sh), të vetëm e të pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut (xh.sh) qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Urtësia e të Urtit ndaj robërve të vet është edhe sprovimi i tyre me lloje të ndryshme sprovash dhe fatkeqësish. Arsyeja e sprovave është që të dallohet i sinqerti nga i pasinqerti, i paduruari nga i duruari, i binduri nga dyshuesi. Ai i sprovon ata me varfëri, sëmundje, humbjen e të dashurve, me ndonjë fatkeqësi apo mosarritjen e diçkaje të dëshiruar.

Këto sprova janë të pashmangshme, pasi vetë Allahu (xh.sh), Njohësi i gjithçkaje, ka njoftuar për ndodhjen e tyre në Kuran.

وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ بِشَيْءٍ مِنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنْفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ
Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët. Kuran [2-El-Bekare:155]

Nëse sprovat ndodhin, njeriu përfton prej tyre atë shenjë që ato lënë në të: nëse duron, ai ka shpërblim e nëse ka pakënaqësi, do të fitojë mëri, privim e njëkohësisht do t’i pakësohet edhe ai besim që ka.

Asnjë prej nesh nuk ka mundësi t’i shmanget asaj sprove që ka caktuar Allahu (xh.sh), por mund ta lehtësojë e ta zbusë atë që ndien në zemër, duke njohur e besuar tek Allahu (xh.sh). Të mos e mbysë dëshpërimi e shqetësimi, por le ta shohë veten si një rob të Zotit të tij, i cili i rregullon punët e tij. Në këtë sprovë bën mirë përulja, lutja dhe shfaqja e vobekësisë, madje edhe lavdërimi i Zotit të tij Mëshirues për atë që ka caktuar.

Një shikim i kujdesshëm i realitetit të shoqërisë sonë nxjerr fare qartë ankesat e shumta, rritjen e dëshpërimeve dhe pikëllimeve në zemrat e shumë muslimanëve për vështirësitë dhe sprovat që u kanë rënë. Këto vështirësi shkojnë e vijnë dhe sytë u mbushen me lot nga dëshpërimi. Ata, nuk kanë të drejtë të dëshpërohen kaq shumë, pasi Zoti i tyre është Allahu (xh.sh), i cili është më i mëshirshëm për ta se ata për veten e tyre dhe për tërë njerëzit. Pikërisht, këto ndalesa shpirtërore janë shpjegim dhe përkujtim për ta se:

– Krijuesi i krijesave, i jetës dhe i vdekjes ka të drejtën e vendimit në këtë botë dhe në tjetrën, pasi tek Ai është kthimi. Krijon dhe zgjedh ç’të dojë. Ai ka caktuar çdo gjë me urtësi dhe masë dhe nuk pyetet për çfarë e bën, kurse njerëzit pyeten;

– Mëshira e Mëshiruesit, e cila ka përfshirë çdo gjë, ka gjykuar se s’ka sëmundje pa mjekim dhe dëshpërimi është sëmundje që prek zemrën dhe e dobëson atë. Mjekimi i saj është njohja me Zotin, të Butin në çdo rast;

– Mirësitë e Allahut (xh.sh) ndaj robërve të tij në vështirësi nuk janë më të pakta se në të mirë. Njerëzit kanë për detyrë të durojnë e të falënderojnë Allahun (xh.sh), si në të mirë, ashtu edhe në të keq. Sa e sa dëshpërime u kanë harruar shumë njerëzve falënderimin e Zotit të tyre për mirësitë e Tij të dukshme e të padukshme! Ata, as u kënaqën me atë që kishin e as nuk duruan për atë që nuk kishin;

– Dynjaja është kohë e shkurtër e mbaron shpejt. E qeshura, për ata që strehohen në të, është e pakët, ndërsa e qara e madhe; dëshpërimi për të është shterpë dhe gjithçka i kthehet Allahut.

Ata, që kërkojnë qetësinë dhe gëzimin e zemrës, largimin e pikëllimeve dhe të brengave, nuk duhen të dëshpërohen, se Zoti i tyre është Allahu (xh.sh), Ngushëlluesi i të dobëtëve, Falësi i gabimeve të gabimtarëve dhe Mëshiruesi i tërë krijesave.