Home ZGJODHËM PËR JU OBLIGIMI PËR NËNSHTRIM NDAJ ALLAHUT

OBLIGIMI PËR NËNSHTRIM NDAJ ALLAHUT

Obligimi për nënshtrimin ndaj Allahut

Çdo gjë që posedojmë është mirësi që na e ka dhuruar Allahu i Lartësuar. Njëri prej emrave të bukur të Zotit (xh.xh.), është edhe “Vehhab”, që do të thotë Dhënës me bollëk dhe pa hesap. Ajeti: “Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës…”, përmendet në njëzet vende në Kuranin Fisnik me të njëjtat fjalë. Në një ajet tjetër thuhet: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Al’ Imran, 26) Ne kemi ardhur të zhveshur në këtë botë dhe do të shkojmë të zhveshur edhe kur të shpërngulemi nga ajo. Ne nuk jemi posedues as të vetes sonë, sepse edhe në trupin tonë nuk mund të bëjmë çfarë të dëshirojmë. Për shembull, nuk mund të tentojmë për të bërë vetëvrasje duke thënë: “Sidoqoftë është trupi im.” Kjo, sepse pa na dhënë leje Allahu i Lartësuar nuk mund ta përdorim amanetin e dhënë si të dëshirojmë vetë. Ne nuk kemi ekzistuar dhe Allahu Teala na solli në ekzistencë. Gjithashtu na njoftoi se edhe Ai vetë ekziston. Ne nuk jemi posedues të ekzistencës, por dëshmitarët e saj. Dëshmi do të thotë të shohësh se çdo gjë i përket Atij dhe ta pranosh këtë të vërtetë. Asnjë nuk ka të drejtë të lavdërohet dhe të mburret me gjërat që i janë dhënë amanet për t’u sprovuar. Kur lindëm, çdo gjë e gjetëm gati në këtë botë. Qumështi në gjinjtë e nënës sonë ishte mirësia e parë që na u dha. Ajri që marrim frymë, organet tona që zhvillohen me kalimin e ditëve, sytë, veshët, mendja, zgjuarsia, duart, këmbët dhe çdo gjë tjetër, janë mirësi të Allahut Teala që na i ka dhënë ne. Po të mos i kishim aftësitë që na janë dhënë që nga lindja dhe mundësia e kushtet për t’i përdorur këto aftësi, asgjë nuk do ta posedonim dot. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” (Ibrahim, 34)

Fe do të thotë borxh, kundërvlerë, bindje etj. Fetaria, në një lloj mënyre, është të ndjerët se jemi borxhli kundrejt Zotit (xh.xh.) dhe përpjekje për të kryer falënderimin për mirësitë e pafundme që na i ka dhënë. Në të vërtetë, sado që të përpiqemi, është e pamundur ta falënderojmë Allahun Teala ashtu siç e meriton Ai. Siç ka thënë edhe Sadi Shirazi, madje edhe në një frymëmarrje ka dy mirësi. Meqë falënderimi duhet të bëhet për çdo mirësi, atëherë, kush mund ta kryejë falënderimin ndaj Allahut (xh.sh.), siç duhet? Allahu Teala nuk kërkon nga ne më shumë se kemi fuqi për të bërë. Ndërsa, të mos bëjmë atë që mundemi është pabesi dhe mosmirënjohje. Allahu i Madhëruar nuk i ka borxh askujt. Çdo gjë që ne kemi është mirësi e Tij, që na e ka dhënë pa na kërkuar ndonjë kundërvlerë. Për këtë arsye, robi nuk mund të ketë ndonjë ankesë kundër Zotit (xh. xh.). Ai vetëm mund t’i lutet dhe t’i përgjërohet Zotit për t’ia hequr vuajtjet dhe vështirësitë. Ngaqë Allahu Teala është poseduesi i çdo gjëje, bën çfarë të dëshirojë, i jep kujt të dojë atë që do dhe ia merr kujt të dojë atë që do. Kindi, i cili konsiderohet filozofi i parë mysliman, shprehet në lidhje me këtë çështje: “Çdo gjë që kemi është mirësi që na e ka dhënë Allahu i Lartësuar, i Cili është krijuesi i mirësisë. Ai e merr pas mirësinë kur të dëshirojë dhe mund t’ia japë kujt të dëshirojë. Në fakt, po të mos ia jepte atij që dëshiron, ajo mirësi asnjëherë nuk do të arrinte te ne. Ndonjëherë kur na e merr atë mirësi me dorën e armikut, pandehim se na ka bërë keq. Të mos harrojmë se poseduesi i amanetit ka të drejtën e tij që ta marrë amanetin dhe t’ia japë kujt të dëshirojë. Kjo dukuri për ne nuk është as turpërim dhe as lëndim. Turpi dhe lëndimi i vërtetë është fakti që ne mërzitemi kur na merret nga duart amaneti, sepse, një moral të tillë e kanë vetëm të pangopurit, koprracët dhe ata që nuk e ndajnë dot të mirën nga e keqja. Nëse dikush e pandeh si mall të vetin amanetin që i është lënë, do të thotë se ai ka një këndvështrim që nuk e shtyn për ta falënderuar Allahun Teala, sepse, falënderimi më i pakët që mund t’i bëhet poseduesit të amanetit, është kthimi i amanetit me një prehje të plotë shpirtërore, me kënaqësi dhe sa më shpejt të jetë e mundur kur ai ta kërkojë amanetin. Atëherë, ai që mërzitet kur e kthen amanetin, do të thotë se e falënderon pak Allahun (xh.sh.). Ata që gëzohen kur marrin, nuk duhet të mërziten kur të japin, sepse ai që u ka dhënë mund të mos u jepte që në fillim. Ai nuk është i detyruar për të dhënë. Edhe përfitimi nga një mirësi për një kohë të pakët e bën të obligueshëm falënderimin për robin. Por ja që ne i pandehim si pasurinë tonë mirësitë që na janë dhënë për t’u sprovuar. Veten tonë nuk e pandehim si qiraxhi por si pronari i mallit. Në të vërtetë, çdo gjë është e Allahut Teala. Edhe ato që japim nuk janë gjërat tona. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” (Bekare, 2-3) Mallin e kujt po fshehin ata që hezitojnë për të dhënë? Nëse dikush i dhuron dikujt një vresht rrushi dhe nëse ky dikush që e merr vreshtin heziton të japë dy bistakë rrush, a i ka hije? A i ka hije një sjellje e tillë një njeriu të pjekur? Nëse dikush i jep 100 mijë lekë dikujt dhe i kërkon atij që dy mijë e pesëqind lekë prej tyre t’ua japë të varfërve, ndërsa ai shfaq koprraci dhe nuk ia plotëson këtë dëshirë, çfarë mund t’i thuhet këtij njeriu? Sigurisht se me shprehjet më të thjeshta mund t’i thuhet tradhtar, njeri që s’ka respekt dhe mosmirënjohës. Andaj, ata që hezitojnë për të dhënë zekatin le ta kontrollojnë edhe një herë gjendjen e tyre. Njeriu në përgjithësi është krijuar i dobët, andaj bëhet egoist dhe koprrac nëse nuk e zhvillon veten me besim dhe dije. Allahu Teala e shpreh kështu këtë dukuri: “…Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, edhe atëherë ju do të rrudhnit dorën nga droja, se do të shpenzoheni. Njëmend, njeriu rëndom është koprrac.” (Isra, 100) “Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.” Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar.” Nuk është kështu! Por ju nuk silleni mirë me jetimët dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit. Trashëgiminë (e të dobtëve) e zhvatni me lakmi të pangopur dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.” (Fexhr, 15-20) Kur njeriu bëhet i fuqishëm dhe i pasur, llastohet dhe e kapërcen cakun. Nemrudi, Faraoni dhe Karuni janë shembujt më të gjallë të kësaj dukurie. Allahu Teala i pati dhënë Karunit pasuri të pallogaritshme: “Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Njerëzit e popullit të tij i thanë: “Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen! Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” Ai tha: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”. Vallë, a nuk e dinte ai, se Allahu kishte zhdukur para tij shumë brezni, që kishin qenë më të fuqishëm dhe që kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por keqbërësit nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.” (Kasas, 76-78) Çfarë do arrinte të fitonte njeriu, i cili ka ardhur lakuriq në këtë botë, po të mos e gjente çdo gjë gati dhe po të mos i ishte dhënë aftësia dhe natyra për të fituar? Njeriu është krijuar njeri dhe posedon fuqinë, mendjen, zgjuarsinë etj. Këto nuk i ka nga vetja e tij, por janë mirësi që ia ka dhënë Zoti (xh.xh.). Allahu mund ta sillte njeriun edhe si krijesë tjetër në këtë botë. Ardhja dhe ikja nga kjo botë nuk është në dorën tonë. Çdo gjë është e lidhur me vullnetin dhe caktimin e Allahut, i cili është poseduesi i botëve. Dalja jonë nga errësira e mosekzistencës në dritën e ekzistencës është në sajë të Allahut të Lartësuar. Nisur nga kjo, detyra jonë më themelore është që ta njohim Atë, të përpiqemi për t’ia paguar borxhin e falënderimit dhe të mundohemi ta adhurojmë e t’i nënshtrohemi. Ai nuk na ka asnjë borxh neve. Përkundrazi, ne jemi ata që ia kemi çdo gjë borxh Atij. Ai që ka borxh, duhet të përpiqet për ta larë atë. Mbi të gjitha, Zoti (xh.sh.), shumë gjëra na i ka dhënë pa na kërkuar asnjë kundërvlerë. Ai që ka borxh, sigurisht se duhet ta falënderojë atë që i ka marrë borxh. Sipas Ali ibn Ebu Talibit (r.a.), ka tre lloj adhurimi: “Adhurimi që bëhet vetëm për të marrë sevape është adhurimi i tregtarëve. Adhurimi që bëhet për shkak të frikës, është adhurim i skllevërve. Ndërsa adhurimi që bëhet për ta falënderuar Allahun për mirësitë që na ka dhënë, është adhurimi i të lirëve.” Të gjitha adhurimet që bëhen janë vetëm një falënderim. Ne e kemi të pamundur që ta kthejmë plotësisht atë që na jepet. Ato që bëjmë ne nuk janë as kundërvlera e një gote me ujë, sepse ne nuk mund të jetojmë pa ujë dhe pa ajër. Allahu Teala i ka dhënë me shumicë dhe pa shkëmbim ato që duhen më së shumti. Falënderimi shton mirësinë, ndërsa mohimi shton fatkeqësinë. Allahu (xh.sh.), na njofton në Kuranin Fisnik duke u shprehur: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. (Ibrahim, 7) Vendosja e fytyrës në tokë, domethënë sexhdeja për t’i shprehur respekt dhe falënderim Zotit (xh.sh.), për mirësitë e pafundme që na ka dhënë, është pika më kulmore e adhurimit, sepse në të vërtetë, nuk ka ndonjë shprehje tjetër më modeste dhe më respektuese se kjo. Fitimi i vërtetë është fitimi i jetës së përhershme. Ata që nuk e fitojnë pëlqimin, xhenetin dhe mundësinë për të parë bukurinë e Allahut të Lartësuar, konsiderohen njerëz që nuk kanë fituar asgjë, sepse, fitimet e përkohshme përveç fitimeve shpirtërore ngelin në këtë botë. Nëse fitimet që ngelin në këtë botë nuk çohen në botën tjetër, atëherë ato shndërrohen në dëm për të zotin e tyre. Së fundi, ne ia kemi borxh Zotit (xh.sh.), çdo gjë duke filluar që nga shpirti ynë. Nga Ai kemi ardhur dhe te Ai do të shkojmë. Më e lehta dhe më e bukura është shkuarja vullnetare. Rezistimi kundër Zotit nuk ka asnjë kuptim. Në fakt, ne nuk kemi as fuqinë për të rezistuar kundër Atij. Islami është nënshtrim ndaj Allahut Teala. Musliman është ai që i dorëzohet Krijuesit me gjithë zemër. Ndërsa kthimi i amanetit te poseduesi i tij është besnikëri dhe mirënjohje. Allahu Teala na bëftë prej robërve që e falënderojnë gjithmonë Atë! Amin!

SHARE
Previous articleTHIRRJE PËR NAMAZ
Next articleVLERA E SINQERITETIT