Home ZGJODHËM PËR JU NËSE U VJEN EXHELI (AFATI) I TYRE

NËSE U VJEN EXHELI (AFATI) I TYRE

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Asnjë nuk e di se kur dhe ku do të vdesë. Përmendet se Xhelil el Kadër ka qenë ministër i Daudit alejhi selam. Kur vdiq Daudi, u bë ministër i Sulejmanit, birit të Daudit. Një ditë paradite Sulejmani ishte i ulur në venduljen e tij dhe me të ishte ky ministër. Hyri një burrë i dha selam dhe po fliste me Sulejmanin ndërsa sytë i kishte ngulur tek ministri. U frikësua ministri nga ai. Kur iku ky burrë u ngrit dhe e pyeti Sulejmanin. I tha: “O i dërguar i Allahut! Kush ishte ky burrë i cili doli prej teje? Më frikësoi shumë shikimi i tij. I tha Sulejmani: “Ky ishte meleku i vdekjes që kthehet në figurën e njeriut dhe vjen tek unë.” U frikësua ministri qau dhe tha: “O i dërguar i Allahut1 Të kërkoj për hir të Allahut që ta urdhërosh erën e të më çojë mua në vendin më të largët, në Indi.” E urdhëroi Sulejmani erën dhe e shpuri atë. Të nesërmen erdhi meleku i vdekjes tek Sulejmani e përshëndeti sikur ishte që vepronte çdo ditë. Sulejmani i tha atij: “E frikësove shokun tim dje kur ia ngule shikimin.” I tha meleku i vdekjes: “O i dërguar i Allahut! Unë erdha tek ty paradite dhe mua më urdhëroi Allahu që t’ia marr shpirtin atij pas dreke në Indi dhe u habita që ai ishte tek ty.” Tha Sulejmani: “E çfarë bëre?” Ia ktheu meleku i vdekjes: “Shkova në vendin që më urdhëroi Allahu për t’ia marrë shpirtin dhe e gjeta atë që më priste dhe ia mora atë.”

Allahu i Madhëruar na ka lajmëruar duke thënë në Librin e Tij: “Thuaju (atyre): ‘Sigurisht që vdekja prej së cilës ju ikni, ka për t’ju zënë, pastaj do të ktheheni prapë tek (Allahu) i Gjithëdituri i së fshehtës dhe i së shfaqurës dhe Ai do t’ju tregojë juve çfarë keni punuar’.”

Kur u sëmurë Abdullah ibnu Mes’udi Allahu qoftë i kënaqur prej tij i erdhi për vizitë Uthmani dhe i tha: “Nga se po ankohesh?” Iu përgjigj: “Nga gjynahet e mia.” I tha: “Çfarë dëshiron?” Ia ktheu: “Mëshirën e Zotit tim.” I tha Uthmani: “A do që të urdhëroj dhe të vijë mjeku?” Tha: “Mjeku më sëmuri mua.” E pyeti përsëri: “A të jap urdhër që të sjellin ndonjë gjë?” Iu përgjigj: “Nuk kam nevojë për gjë.”

Ndërsa Amru ibnul Asi, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, ka qenë më i shkathti ndër arabët dhe thoshte gjithmonë si i habitur kujt i kishte ardhur vdekja dhe mendjen e kishte në vend: “Si nuk mundesh ta përshkruash atë (vdekjen)?” Kur i erdhi atij vdekja u hidhërua shumë. E kujtoi atë i biri dhe i tha: “Ma përshkruaj mua vdekjen, o baba!” I tha: “O biri im, vdekja është moment, e si mund të ta përshkruaj atë? Por do të mundohem që ta afroj atë. E gjej sikur malet më kanë zënë fytin dhe sikur në gjoks kam gjemba. Shpirti sikur po më del nga vrima e gjilpërës.” I tha i biri i tij Abdullah: “O babai im! Po çfarë është ky hidhërim?! Ka qenë i dërguari i Allahut që të afronte dhe të vinte në punë.” I tha: “Eh, mor bir, ka qenë kjo dhe do të lajmëroj ty, nuk e di ka qenë kjo se më donte apo se donte të më afronte.” Iu vështirësua gjendja dhe vuri dorën në mjekrën e tij e tha: “O Zot! Na urdhërove shumë gjëra dhe i lamë ato, na ndalove dhe u larguam prej tyre dhe s’na ka ngelur gjë tjetër vetëm se falja Jote!” Pastaj po përsëriste fjalën La ilahe il Allah, derisa i doli shpirti dhe u nda nga kjo botë.

Tregon për Umer el Abdulazizin gruaja e tij Fatima vajza e Abdul Melik: E kam dëgjuar Umerin kur ishte i sëmurë me sëmundjen e vdekjes që thoshte: “O Zot fshije vdekjen time prej tyre sikur edhe një orë.” Kur ju rëndua sëmundja i thashë: “Sikur të dilja pak që të flesh se ti nuk ke fjetur!” Dhe qëndrova te dera e dhomës e dëgjova që po këndonte fjalën e Allahut: “Atë vend të përjetshëm (xhenetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut.”

Dhe po e përsëriste atë derisa iu ul zëri dhe pushoi. Shkova tek ai dhe e gjeta të vdekur dhe fytyrën e kishte drejtuar nga kibla dhe njërën prej duarve e kishte vënë mbi gojën e tij dhe tjetrën mbi sytë e tij.

Ndërsa Ibnu Asekir ka qenë imam dhe adhurues, pasi fali namazin e drekës po pyeste për namazin e ikindisë, mori abdes bëri duanë mbas saj dhe ndërkohë që ishte i ulur tha: “Jam i kënaqur me Allahun për Zot dhe Islamin fe dhe Muhamedin të dërguar. O Zot pranoje arsyen time, m’i pakëso mua të metat dhe më mëshiro mua kur të jem i vetëm!” Pastaj ngriti shikimin e tij dhe tha: “Ue alejkumu selam!” dhe u kthye i vdekur.

Me të vërtetë, çfarë njerëzish kanë qenë ata! Çfarë gëzimi i mbulon ata në këto momente! Të vërtetën ka thënë Allahu i madhëruar se njerëzit do të jenë ose falënderues, ose mohues.

Përktheu: Bledar Haxhiu

SHARE
Previous articleA JE PRANUAR?
Next articleLLOJET E HADITHIT