Home ZGJODHËM PËR JU Në këtë kohë, besimi është si zjarr që mbartet në dorë

Në këtë kohë, besimi është si zjarr që mbartet në dorë

Në këtë kohë, besimi është si zjarr që mbartet në dorë

Besimi është kushti i parë për të hyrë në Islam. Njeriu hyn në besim duke e pohuar me gjuhë dhe duke e konfirmuar me zemër njësimin e Zotit dhe Muhamedin (a.s.), si robi dhe të Dërguarin i Tij.
Baza e besimit, faktikisht është konfirmimi me zemër. Iman do të thotë, t’i besosh Zotit që nuk shikohet, që mund të mësohet për Të dhe që e tregon ekzistencën e Tij me anë të shfaqjeve. Po ashtu, do të thotë t’u besosh engjëjve që njeriu nuk i shikon, Ahiretit që nuk është përjetuar, por që do ndodhë në të ardhmen dhe ringjalljes pas vdekjes. Mbi të gjitha, do të thotë t’u besosh profetësive të pejgamberëve që Zoti (xh.xh.), ua ka dhënë atyre nëpërmjet shpalljes dhe të besosh se librat, të cilët janë kushtetuta hyjnore për jetën.
Kurani Fisnik, i cili është udhëzuesi i jetës sonë, na përkufizon ne si besimtarë. Besimtar është ai që ka besuar. Allahu i Madhëruar, duke u nisur nga vlera që kemi marrë prej besimit dhe duke na u drejtuar me shprehjen “o ju që keni besuar”, e përmend këtë në tetëdhjetë e tetë vende të Kuranit Fisnik. Kjo do të thotë se Zoti i Lartmadhëruar i pranon si bashkëbisedues ata që i besojnë Atij.
Ibn Mes’udi, radijallahu anhu, në lidhje me këtë shprehje, ka thënë: “Kur të dëgjosh thirrjen e Zotit të Lartësuar “o ju që keni besuar”, hapi veshët mirë dhe dëgjo me gjithë shpirt, sepse pas kësaj thirrjeje, Allahu të urdhëron për ndonjë punë të mirë ose të ndalon nga ndonjë gjë e keqe.”
Çfarë mund të ketë ndonjë gjë më të vlefshme se besimi i besimtarit, i cili ka pasur nderin të bëhet protagonisti i kësaj thirrjeje!? Njeriu, të cilit i është dhënë besimi me mirësinë e Allahut Teala, duhet ta mbartë besimin e tij në mënyrë të përpiktë derisa të shkojë te Zoti (xh.xh.) dhe të dalë në audiencën e Tij me këtë amanet.
Nisur nga kjo, përderisa të jemi gjallë, duhet të shqetësohemi thellësisht për besimin. Ne duhet të jemi vigjilentë, se përgjatë jetës mund të ketë sulme të brendshme e të jashtme kundër besimit që kemi në zemër dhe që është më i vlefshëm se çdo gjë. Prandaj, duhet të marrim masa shpirtërore dhe mendore kundër kësaj.
Të besosh në punën që ke bërë, është një gjendje shkujdesjeje. Kërkimi i rrugëve të sigurta për ta mbrojtur besimin dhe përgjërimi ndaj Allahut të Lartësuar për mëshirë, përsëri është një gjendje që buron nga besimi. Ne si besimtarë duhet ta shpresojmë xhenetin dhe të mbartim dëshirën për të parë bukurinë e Allahut Teala.
Njeriu gjithmonë duhet të shqetësohet në lidhje me llogarinë që do të japë në Ahiret. Allahu Teala na ka krijuar, por nuk na ka lënë pa përgjegjësi. Allahu i Madhëruar na ka dhënë besimin, na ka bërë të kuptojmë shumë gjëra nëpërmjet nurit të udhëzimit dhe si rezultat, na ka dhënë disa përgjegjësi për të cilat do na marrë në llogari. Besimtari duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë.
Nëse një besimtar frikësohet nga dita e llogarisë dhe shqetësohet për të ardhmen e besimit të tij, i shtohet përpikëria ndaj veprave dhe e përcakton drejtimin e jetës së tij. Mbi të gjitha, ky shqetësim e inkurajon atë që t’i drejtohet Zotit (xh.sh.), të mbrohet nga mëkatet dhe e bën të gatshëm kundrejt rreziqeve në të ardhmen, në mënyrë që të mos bjerë viktimë e tyre. Gjendjen e atyre njerëzve që nuk shqetësohen për të ardhmen e tyre, Kurani Fisnik e shpreh kështu: “Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij, apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe rrokulliset me të në zjarrin e xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës.” (Teube, 109.)
Miqtë e Zotit (xh.sh.), shprehen se “përgjatë gjithë jetës duhet ta mbajmë hapur derën e frikës ndaj Allahut. Ndërsa në kohën e vdekjes, duhet të kapemi pas shpresës”. Besimtarët duhet të kenë frikë përgjatë gjithë jetës prej Allahut, prej tmerrit të Ditës së Kiametit dhe prej ndëshkimit të Xhehenemit, por kjo frikë nuk duhet t’i shtyjë ata në pasivitet, mosveprim, dëshpërim dhe pesimizëm. Përkundrazi, duhet t’i orientojë drejt qëndrimeve dhe sjelljeve që ua heqin shkaqet e të pasurit frikë.
Rendja pas jetës së kësaj bote, dëshirat, pasionet dhe çdo lloj përpjekjeje që na e rrit egoizmin tonë, janë gjëra që na bëjnë ta harrojmë ëmbëlsinë e besimit.
Shenja për mbartjen e një shqetësimi të vazhdueshëm për besimin, shfaqet në veprat dhe sjelljet tona. Prej njeriut që është humbur në vitrinat e shndritshme të jetës moderne, është e pamundur të presësh shqetësim për botën tjetër, sepse, në një jetë që nuk ka ndjeshmëri, nuk ka as mendim për fenë dhe nuk ka as vepra që e vërtetojnë besimin. Për të mos rënë në kthetrat e jetës që të hedhin në humnerë, duhet të kemi një besim të fortë. Ndërsa besimi i fortë, arrihet duke përvetësuar një mënyrë jetese që e shton atë. Me dashje apo pa dashje, shumë herë mund të shkojmë në buzë të asaj humnere apo të na hedhin në të. Për këtë arsye, ne duhet të kemi një mjedis që na shpie te besimi, duhet të kryejmë shërbime fetare që na e ëmbëlsojnë besimin dhe duhet të kemi një vetëdije të fortë adhurimi ndaj Allahut Teala që të na e mbrojë besimin tonë si një armaturë.