Home ZGJODHËM PËR JU NAMAZI RRUGA E LUMTURISË

NAMAZI RRUGA E LUMTURISË

Jeta është një udhëtim i shkurtër me ndalesa të shumta, ku në secilën prej tyre ndalon, jeton, por sërish përgatitesh për udhëtim. Në këtë botë jemi kalimtarë, jetojmë përkohësisht…. Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun në formën më të përsosur, duke e veshur atë me virtyte dhe moral të lartë. Qëllimi i krijimit të kësaj krijese të brishtë është të adhurojë Allahun e Plotfuqishëm, Atë që e krijoi, i dha shpirt dhe e lartësoi midis krijesave të tjera. Allahu në Kuranin Famëlartë thotë: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër, përveçse që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as s’dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është furnizues i madh. Ai, fuqiforti.” (Dharijat, 56-58) Allahu është Krijuesi i gjithësisë, Ai krijoi gjithçka që arrin të perceptojë syri ynë, Ai është Pronari dhe Furnizuesi, andaj vetëm Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet më të mira. Secila krijesë e adhuron Krijuesin e saj në mënyra dhe forma të veçanta e padyshim edhe njeriu është obliguar me disa adhurime nga Allahu i Lartësuar, siç mund të përmendim namazin, agjërimin, zekatin etj. Në krye të këtyre adhurimeve qëndron namazi. Pejgamberi (a.s.), thotë: “…Namazi është shtylla e fesë…” Nga kjo njofton se namazi është ibadeti më i çmueshëm që hedh dritë në shpirtin dhe trupin tënd. Ai është një adhurim që të pastron shpirtin, ndriçon zemrat e njerëzve dhe e lartëson njeriun deri në virtytet e Zotit. Ajetet kuranore që flasin për rëndësinë dhe dobitë e namazit janë të shumta. Allahu në Kuranin Fisnik thotë:
“Ka shpëtuar ai që është pastruar, që ka përmendur emrin e Zotit të vet dhe që është falur. Por ju i jepni përparësi jetës së kësaj bote, ndërsa jeta tjetër është më e mirë dhe e përhershme!” (A’la, 14-17) “Elif, Lam, Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për ata që frikësohen (nga Allahu). Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen dhe prej asaj që Ne i kemi furnizuar, japin.” (Bekare, 1-3) Çdo besimtar musliman duhet të mbështetet mbi dy shtylla thelbësore, ashtu si shtëpia që ngrihet mbi themelet e saj. E nëse njëra prej tyre bie apo dobësohet, e gjithë shtëpia është në rrezik. Ky është një shembull në paralelizëm me besimtarin mysliman, i cili besimin dhe jetën e tij duhet t’i ndërtojë mbi Kuranin Fisnik, Fjalën e Allahut dhe mbi sunetin e Pejgamberit tonë të nderuar. Në lidhje me çështjet e namazit, hadithet janë të shumta. Abdull-llah ibn Mes’udi (r.a.), ka thënë: “E kam pyetur të Dërguarin (a.s.): ‘Cila punë është më e dashur tek Allahu i Madhëruar?’ Tha: ‘Namazi në kohën e vet.’ I thashë: ‘Pastaj, cila?’ Tha: ‘Bamirësia ndaj prindërve.’ I thashë: ‘Pastaj cila?’ Tha: ‘Xhihadi në rrugë të Allahut.’” Një njeri ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, më trego për një punë që do të më shpjerë në Xhenet dhe do të më largojë nga Xhehenemi!” I Dërguari (a.s.), tha: “Ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh asgjë, ta falësh namazin, ta ndash zekatin dhe t’i mbash lidhjet farefisnore. Namazi është shtylla e fesë, andaj të drejtohem ty o njeri, fale namazin derisa vdekja nuk të ka ardhur, falu për hatër të Zotit të Madhëruar, falu që të arrish grada dhe shpërblime të pafundme. A nuk mendon të lësh pas kënaqësitë dhe argëtimet e kësaj dynjaje e t’i bësh sexhde Zotit Tënd? A nuk mendon se kjo është më e mirë për ty se tërë dynjaja e ç’ka ka në të? Vërtet jeta është shumë e shkurtër dhe melekun e vdekjes mund ta kemi vizitor në çdo moment, andaj lufto cytjet dhe ngacmimet e shejtanit të mallkuar dhe adhuroje Allahun me namaz. Vërtet kjo është më e mirë për ty. Allahu na ka obliguar ta adhurojmë me namaz, por sikundër dobive dhe rëndësisë së madhe nga pikëpamja fetare, shkencëtarët kanë zbuluar dhe shumë efekte të veçanta se si namazi ndikon në shëndetin e njeriut që e fal atë.” Sipas studiuesve, sa më shumë të vihet koka në tokë gjatë ditës, aq më shumë gjak shkon në tru. Lëvizjet izometrike në namaz ndihmojnë përzierjen e mirë të ushqimeve në stomak e parandalojnë formimin e gurëve në veshka. Lëvizjet ritmike në 5 kohët e namazit, duke i vënë në lëvizje muskujt, që në jetën e përditshme nuk vihen në lëvizje, shmangin sëmundje si artroza e nyjave dhe shtangimi i muskujve. Ky lloj ibadeti është bërë objekt studimi i shumë studiuesve të disiplinave të ndryshme shkencore dhe rezultatet kanë qenë interesante dhe të çmuara. Trupi ynë merr një numër të madh valësh elektromagnetike. Këto valë i marrim përmes pajisjeve që përdorim çdo ditë, si televizori, kompjuteri, celulari, si dhe përmes dritave, që nuk mund të fiken për arsye të caktuara. Të gjitha këto valë i marrim pa e kuptuar. Kjo na bën me dhimbje koke dhe të dobët. Po cila është zgjidhja për të gjitha këto? Një shkencëtar nga Evropa bëri një kërkim dhe arriti në përfundimin se vendosja e ballit në tokë më shumë se një herë në ditë, shkarkon ngarkesën e dëmshme elektromagnetike. Interesant është fakti se mënyra më e mirë është të vendoset balli në tokë dhe në drejtim nga qendra e tokës. Shkencërisht është vërtetuar se qendra e tokës është qyteti i Mekës, saktësisht Qabeja e Bekuar. Kështu që përulja (sexhdeja) në lutjet tona është mënyra më e mirë për të shkarkuar ngarkesën elektromagnetike nga trupi ynë, megjithëse kjo nuk është qëllimi i sexhdes, por vetëm një nga dobitë e shumta të saj, pasi qëllimi i vërtetë është nënshtrimi dhe afrimi me të Gjithëfuqishmin. Një kundërshembull për të gjithë ata që pretendojnë se namazi u harxhon kohë. Me një përllogaritje të vogël matematikore, ti ke dhuratë nga Allahu 24 orë në dispozicionin tënd. 23 orë e gjysmë në çështje të kësaj jete, ndërsa 30 minuta NAMAZ. Ky është programi më superior, pra s’ka justifikim se namazi të merr kohë. Subhanallah… nëse do ta konkretizonim me një shembull, do të mund të thoshim se ti nëse rregullisht gjatë 50 viteve ke falë namaz, atëherë statistikisht del që 49 vite i ke kaluar duke u ballafaquar me çështjet e kësaj jete, ndërsa vetëm një vit me adhurim të namazit. Pra, për ty që ke logjikë të shëndoshë, s’ka arsyetim në lidhje me faktin se namazi të merr kohë. Me një llogari të vogël e kupton se adhurimi është jo pengesë në çështjen e kohës.