Home ZGJODHËM PËR JU MOMENTI MË I LUMTUR NË JETËN TIME

MOMENTI MË I LUMTUR NË JETËN TIME

Dr. Mustafa Mahmud

Shpesh kam pyetur cili ka qenë momenti më i lumtur në jetën time.

Nëpër mendimet e mia ka kaluar kordoni i gjatë i momenteve të rëndësishme dhe panoramave nga jeta ime.

Momenti kur kam botuar tregimin e parë, momenti kur kam diplomuar në fakultetin e Mjekësisë, momenti kur kam marrë shpërblimin shtetëror për letërsi.

Pastaj, momenti i dehjes me dashurinë e parë, udhëtimet e shumta në botë, etj.

I mendova në kokën time të gjitha momentet e lumtura në jetë dhe thashë në vete: – “Jo, asnjë nga këto momente nuk ka qenë më i lumturi në jetën time.”

Por, një moment ka qenë për mua më i lumturi.

Një natë kur bëra sexhde ndaj Allahut, xh.sh.

Përjetova që i tërë trupi im bëri sexhde.

Eshtrat e mia bënë sexhde.

Brendia ime bëri sexhde.

Mendja ime bëri sexhde.

Ndërdija ime bëri sexhde.

Shpirti im bëri sexhde…

Në atë moment u zhduk ngushllëku im i brendshëm dhe u pajtua me kaderin.

Në atë moment e vërejta urtësinë e sprovave dhe isha i kënaqur me to, vërejta që në të gjitha ato që i jep Allahu, xh.sh., fshihet e mira dhe çdo gjë që bën Ai është e drejtë, që në urdhrin e Tij është mëshira, ndërsa në sprovën e Tij është dashuria…

Në momentin kur isha në sexhde ndjeva që po kthehem në atdheun tim të vërtetë nga kam ardhur. Kuptova dhe njoha identitetin dhe përkatësinë time.

Në realitet kuptova kush jam unë.

U zhduk kryelartësia, kokëfortësia u avullua, rebelimi im i brendshëm u qetësua, errësirat e natës u shpërndanë.

Mu duk sikur po ngulfatem në ujë dhe papritmas ngrita kokën nga thellësia e detit për ta parë dritën, po shikoja botën dhe merrja ajër, po frymoja lirinë dhe pavarësinë. Ah, çfarë lirie dhe pavarësie!

Po, në momentin e sexhdes isha i lirë, e jo si deri atëherë rob i lidhur me zinxhir.

Po, kjo ishte liria e vërtetë, kur e kuptova esencën e robërimit ndaj Allahut, xh.sh.

Në atë moment ranë prangat nga duart e mia të cilat më patën lidhur për dynja dhe hyjnitë e saj të rrejshme: paratë, fama, pushteti, kënaqësitë, mbizotërimi dhe forca.

Ndjeva që më nuk më nevojitet askush, nuk varem nga askush për asgjë, sepse jam nën mbrojtjen e Sundimtarit të gjithë sundimtarëve, i Cili posedon çdo gjë dhe të Cilit i takon çdo gjë që ekziston.

Isha sikurse zogu i cili kthehet në krahët e nënës.

Allahu, xh.sh., i shpalli Muhamedit, a.s.:

“…Vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të.“

(El – Alak, 19)

Por, nuk do të thotë që secili që bën sexhde i afrohet Allahut, pos sikur Musai, a.s., i cili i zbathi këpucët; kur bën namaz me zemër të pastër, me zemër përplot frikërespekt dhe duke bërë sexhden me tërë qenien, vetëm atëherë ndodh afërsia dhe kjo është sexhde e vërtetë.

Sa do të dëshiroja që të më përsëritet kjo sexhde që të ma mundësojë Allahu, xh.sh., nga mirësia e Tij e pafund. Të më lejojë që sinqerisht t’i bëj ibadet.

Ndoshta dynjaja u kthye dhe më mori në prehrin e saj, ndoshta mbi mbuloi sytë e mi, ndoshta u kthye dhe tërë pesha e saj e mbuloi shpirtin tim të molisur.

Jo, nuk mund të ndalem e të mos shpresoj dhe i lutem Allahut, xh.sh., që shpresës sime t’ia bashkangjitë edhe veprat e mira.

O Allah i dashur, na bëj të dashur ibadetin në zemrat tona dhe na bëj që ta përjetojmë me tërë qenien sexhden si momentin më të lumtur të jetës sonë! Amin!