Home ZGJODHËM PËR JU MËSUESE, JUVE JU VJEN ERA SI E NËNËS SIME!‎

MËSUESE, JUVE JU VJEN ERA SI E NËNËS SIME!‎

Mësuesja e klasës së V –të, iu drejtua një ditë nxënësve të saj me fjalët: ‘Ju dua të gjithëve’, ‎por në vetvete përjashtonte nxënësin e quajtur Tedi. Rrobat e tij ishin gjithmonë të papastra, ‎mesatarja e notave të tij në shkollë ishte e pakënaqshme dhe ishte nxënës i tërhequr në ‎vetvete.‎

Këtë gjykim të padrejtë mësuesja e bazoi mbi atë që vuri re gjatë një viti shkollor. Përveç kësaj, ‎ajo vuri re se Tedi nuk po luante me fëmijët e tjerë dhe gjithmonë kishte nevojë të shkonte në ‎banjo. Djaloshi ishte në depresion dhe i parregullt, deri në atë masë sa që, mësuesja ndjente ‎kënaqësi kur ia korrigjonte detyrat me stilolaps të kuq, duke ia theksuar me vijë të trashë ‎shenjën “X”, kurse në krye të fletës së detyrave notën: “Pamjaftueshëm!”‎

Një ditë mësueses iu kërkua që t’i rishikonte sukseset e të gjithë nxënësve në vitet e ‎mëparshme dhe, derisa po e shqyrtonte dosjen shkollore të Tedit, ajo mbeti e tronditur dhe e ‎hutuar.‎

Mësuesja e klasës së I – rë, kishte shkruar për të: “Tedi është fëmijë i mençur dhe i talentuar, ‎i cili detyrat e tij i kryen me kujdes dhe me rregull.”‎

Mësuesi i tij i klasës së II – të, kishte shkruar: “Tedi është nxënës i mrekullueshëm dhe i ‎dashur midis shokëve të tij, por po brengoset për kancerin nga i cili vuan nëna e tij.”‎

Mësuesja e klasës së III – të, kishte shkruar: “Vdekja e nënës së tij e goditi rëndë Tedin. Ai u ‎përpoq sa kishte mundësi, por babai i tij nuk ishte i interesuar për të. Jeta në një shtëpi të ‎tillë, së shpejti mund t’i lejë pasoja negative nëse nuk merren masa.”‎

Mësuesja e klasës së IV – të, kishte shkruar: “Tedi është një nxënës i tërhequr plotësisht, ‎nuk dëshiron të mësojë, nuk ka shokë dhe fle gjatë orëve të mësimit!”‎

Këtu mësuesja e kuptoi problemin e tij dhe u ndije e turpëruar për shkak të qëndrimit të saj ndaj ‎Tedit. Gjendja e saj ishte edhe më e keqe, kur nxënësit sollën dhurata festive të paketuara ‎bukur, përveç Tedit, dhurata e të cilit ishte mbështjellë në një qese letre nga shitorja.‎

Mësuesja u pikëllua derisa po hapte dhuratën e Tedit, kurse nxënësit u qeshen me dhuratën e ‎tij. Në një qese kishte mbështjellë një gjerdan margaritari, të cilës i mungonin disa margaritar, ‎dhe një shishe parfumi që përmbante vetëm ¼ e sasisë së parfumit. Nxënësit u ndalën së ‎qeshuri, kur parë se mësuesja shprehu admirimin e saj për bukurinë e gjerdanit dhe parfumit, e ‎falënderoi ngrohtësisht, pastaj e vuri gjerdanin rreth qafës dhe e përdori parfumin.‎

Atë ditë, Tedi nuk u kthye menjëherë në shtëpi pas shkollës, por e priti mësuesen. Kur ‎mësuesja iu afrua, ai i tha:

“Mësuese, juve ju vjen era si nënës sime!”

Mësuesja ia plasi vajit, sepse e kuptoi që Tedi ia kishte sjellë asaj shishen e parfumit që e ‎kishte përdorur nëna e tij.‎

Që nga ajo ditë, ajo i kushtoi vëmendje të veçantë Tedit. Deri në fund të vitit, Tedi u bë nxënësi ‎më i mirë në klasë. Në fund të vitit shkollor, mësuesja e gjeti një shënim të varur në derën e saj, ‎në të cilën Tedi shkruante: “Ti je mësuesja më e mirë që kam njohur ndonjëherë!” ‎

Mësuesja iu përgjigj: “I dashuri Tedi, ti më mësove se si të jem mësuese e mirë!”‎

Disa vjet më vonë, mësuesja u befasua kur i erdhi ftesa për të marrë pjesë në ceremoninë e ‎ndarjes së diplomave në Fakultetin e Mjekësisë. Ftesa ishte e nënshkruar me emrin: “Djali yt, ‎Tedi!”‎

Dhe ajo shkoi në atë ceremoni duke e bartur rreth qafës gjerdanin me margaritar dhe e ‎parfumosur me parfumin të cilin e përdorte nëna e Tedit.‎

http://saff.ba//‎ Përkthim: Miftar Ajdini