Home ZGJODHËM PËR JU LARGOJE MBULESËN!

LARGOJE MBULESËN!

“O njeri, o mik i shtrenjtë! Ti nuk je vetëm një person! Ti je një botë! Je një det i thellë dhe shumë i madh. Një oqean pa fund e pa anë, që është mbase nëntëqind fish më i madh se ekzistenca jote. Me qindra botë janë mbytur e janë zhdukur në atë oqean!”
Ji i vetëdijshëm për atë që je! Mos e shit veten lirë dhe mos e ço dëm esencën brenda vetes! Mos u mashtro me pamjen e jashtme! Por udhëto midis shtresave të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe zbuloji perlat që të janë lënë amanet!
Po, të gjithë profetët dhe njerëzit e ditur e kanë ftuar birin e njeriut, i cili është zhytur në errësirë totale, që ai të largojë perdet, të çlirojë veten dhe të dale në dritë. Zoti ynë i Madhëruar, i Cili është Rrahman dhe Rrahim, këta ftues dhe mesazhe hyjnore i ka dërguar për realizimin e këtij synimi:
“Është Ai që i ka zbritur robit të Vet shpallje të qarta për t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Allahu është vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë me ju.” (Hadid, 9)
“…Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit!..” (Ibrahim, 1)
Çfarë është “dhulumat”, e cila përkthehet “errësira” (shumës)? Çfarë janë ato perde që i zënë sytë njeriut, që i rëndojnë dhe i shurdhojnë veshët, që i kyçin mendjen dhe i ndryshkin zemrën? Si formohen ato? Si mund ta shpëtojë njeriu të vërtetën e vet prej këtij pushtimi dhe si mund të bëhet çliruesi i vetes?
Prej ajeteve të Kuranit dhe haditheve të Profetit (a.s.), mësojmë se, perdja më e trashë, është ajo e kufrit/mohimit dhe shirkut/idhujtarisë. E në fakt, kuptimi leksikor i fjalës “kufr” është “të mbulosh”. Mbulim i natyrshmërisë dhe i ndërgjegjes, i të Vërtetit dhe të vërtetës. Në përgjithësi, gjërat që e mbyllin një njeri ndaj të Vërtetit dhe të vërtetës, janë mosmirënjohja, injoranca, zhytja dhe mbetja në devijim, imitimi i verbër, paragjykimi, inati pa argumente dhe fanatizmi. Këto errësira totale, janë padrejtësia më e madhe që i bën njeriu realitetit të vet. Në raste të tilla, realiteti njerëzor lëshon klithma të shumta për ndihmë, por përveç të diturve nuk ua dëgjon kush zërin!..
Perdet e gjynaheve dhe të këqijave formojnë errësira që e mbulojnë realitetin e njeriut. Dhe këto, në varësi të madhësisë dhe të sasisë së gjynahut, e mbyllin dhe e errësojnë vetëdijen e njeriut. I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Kur robi kryen një gjynah, në zemrën e tij shfaqet një pikë e zezë. Nëse ai largohet prej gjynahut, kërkon falje dhe pendohet, zemra e tij pastrohet. Por, nëse ai nuk vepron kështu dhe drejtohet përsëri nga ato gjynahe, pikat e zeza shtohen dhe si përfundim ato ia mbulojnë zemrën. Ja pra, pikërisht ky është “ndryshku” për të cilin Allahu i Madhëruar, thotë: «Jo, nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë ndryshkur zemrat.»” (Tirmidhi, Tefsir, 83; Ibn Maxhe, Zuhd, 29.)
Kur syri shikon haramin, ai vë perde dhe në zemrën e tij hapet një plagë e helmatisur. Veshi fillon të shurdhohet dhe e humbet ndjesinë e tij me fjalë të helmatisura, si përgojimi dhe gënjeshtra. Gjuha ndotet dhe nxihet me fjalë që janë haram. Në këtë mënyrë, thelbi i njeriut pushtohet, duke u bërë rob i egos dhe shejtanit.
Një tjetër perde, është mendjemadhësia, pëlqimi i vetvetes, lidhja e shpresës pas gjërave kalimtare, idhujtarizimi i dëshirave, zhytja në çështjet e kësaj bote, braktisja e së vërtetës dhe dashuria pas gënjeshtrës.
Në të vërtetë, burimi i këtyre perdeve, është indiferenca e robit ndaj Zotit. Në bazë të sasisë së indiferencës shtohet edhe numri, por edhe dendësia e perdeve. Si rezultat i kësaj indiference, mendja e njeriut, zemra, syri, veshi, perceptimi dhe mbase i gjithë uni i tij qelizë më qelizë pushtohet nga egoja dhe ushtarët e shejtanit, duke i degjeneruar ato aq sa të mos kenë mundësi të kryejnë funksionet e tyre. Zoti ynë i Madhëruar, urdhëron:
“Ne kemi krijuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më ulët se ato. Pikërisht këta janë të shkujdesurit (indiferentët).” (A’raf, 179)
Njeriu është i detyruar të veprojë për të shpëtuar unin e vet prej këtij pushtimi dhe të sigurojë mbizotërimin e Allahut në ekzistencën e vet. Dhe emri i këtij veprimi, është “tezkije”, pra, procesi i pastrimit dhe i ndriçimit. Në këtë veprim çlirimi:
Synimi, është shpëtimi i vetes sonë prej çdo sundimi dhe autoriteti tjetër jashtë Allahut. E shprehur ndryshe, mohimi i çdo lloj shejtani, idhulli apo njeriu, mendimi, institucioni dhe dëshire që adhurohet, të cilët në Kuranin Fisnik përmblidhen me fjalën “tagut”. E më pas, aprovimi i të Vërtetit dhe të vërtetës. Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Bekare, 256)
Harta e udhës, është Fjala e Allahut (Kurani) dhe Suneti i Profetit (a.s.). Vetëm kështu mund të shpëtohet prej robërisë së errësirave dhe të dilet në dritë.
Prijësit, janë dijetarët e devotshëm që gëzojnë cilësinë e trashëgimtarëve të profetëve.
Ndihmësit, janë të gjithë besimtarët e mirë dhe besnikë që ndihmohen në devotshmëri. Në fakt, edhe pse triumfi është çlirimi i vetes sonë, ky është një synim aq i madh dhe i vështirë, saqë nuk mund të arrihet i vetëm.
Detyra individuale, është përpjekja dhe lufta e madhe që do të zhvillohet me vetëmohim të lartë, duke vënë në lëvizje të gjitha mundësitë për hir të Allahut. Dhe, nëse realizohet edhe ky kusht, në ndihmë të robit do të arrijnë ndihma e veçantë e Allahut, udhëzimi dhe suksesi, në sajë të të cilave do të arrihet edhe çlirimi me lejen e Allahut. Në Kuran urdhërohet:
“Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (Ankebut, 69)
Procesi i çlirimit fillon me teube/pendim tek Allahu, vazhdon me orientimin kah Allahu dhe arrin në sukses me bindje dhe devotshmëri ndaj Allahut. Zoti ynë i Madhëruar, na njofton se ata të cilët e pastrojnë veten do të arrijnë shpëtimin dhe se ata të cilët nuk e bëjnë këtë por e lënë veten në dorë të egos së tyre, do të pësojnë disfatë. (shih. Shems, 9-10.)
Kjo luftë dhe përpjekje do të vazhdojë derisa në trup të mos mbetet asnjë pikë e errët… Derisa të realizohet çlirimi dhe të sigurohet gjendja e sigurisë dhe qetësisë. Dhe tani le ta shohim me këtë sy dhe t’i vëmë veshin kësaj duaje të të Dashurit të Allahut (a.s.), i cili na e tregon këtë synim të madh:
“O Allah! Jepi dritë zemrës sime, syrit tim dhe veshit tim. Ma ndriço të djathtën dhe të majtën time, të sipërmen dhe të poshtmen, përball meje dhe pas meje dhe më bëj tërësisht dritë! (Në një transmetim tjetër zënë vend edhe këto shprehje): Më ndriço damarët e mi, mishin, gjakun, flokët dhe fytyrën time!” (Buhari & Muslim)
Padyshim se shpëtimi i trupit tonë prej robërisë dhe arritja e suksesit, mund të arrihet vetëm me ndihmën dhe mirësinë e Zotit të botëve, Allahut të Madhëruar.