Home ZGJODHËM PËR JU Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht...

Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut

“Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit,të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?.” (Nisa, 125)

Allahu, së pari, na tregon nëpërmjet këtij ajeti se feja e vetme autentike e pastër është feja islame dhe se besimtari më i mirë në këtë fe është ai që i dorëzohet me sinqeritet të plotë Allahut duke e besuar si krijuesin dhe gjykatësin e çdo gjëje në këtë botë dhe në botën tjetër dhe duke qënë vepërmirë e i sinqertë në çdo veprim që kryen. Ky ajet i bën thirrje në përgjithësi gjithë njerëzimit dhe në veçanti muslimanëve që të mos mjaftohen vetëm me besimin teorik por ti dorëzohen plotësisht Allahut, të ndjekin si sistem jete rrugën e Ibrahimit që Allahu e ka vlerësuar si mikun e Tij në Kuran dhe këtë besim ta shoqërojnë me vepra duke ndjerë mbikqyrjen dhe prezencën e Allahut në çdo moment. Allahu duke iu drejtuar njerëzëve me një pytje retorike pohon se besimtar i mirë është ai që beson Allahun dhe vepron sipas normave të vendosura prej Tij duke qenë i sinqertë edhe në besim edhe në vepra. Që një vepër të jetë e vlefshme tek Allahu duhet të plotësojë dy kushte: e para të jetë sipas normave të vendosura nga Allahu Teala ose i Dërguari i Tij dhe e dyta të jetë e sinqertë duke iu dedikuar vetëm Allahut. Nëse vepra humb njërin nga këto kushte bëhet e pavlefshme, kur personi nuk plotëson kushtin e sinqeritetit quhet hipokrit kurse kur nuk plotëson kushtin e saktësisë konsiderohet i devijuar prandaj Allahu e ka cilësuar se zbatuesi i veprës duhet të jetë ndjekës i fesë së pastër të Ibrahimit (a.s.) të cilin Allahu e ka marrë për mik të Tijin. Kur besimtari i plotëson të dyja kushtet arrin gradën e “ihsanit” që do të thotë ta adhurosh Allahun si kur e shikon edhe nëse ti nuk e shikon atë të jesh i bindur se Ai të shikon ty. Për besimtarët e pastër kushti më i vështirë mbetet sinqeriteti. Sinqeriteti është që çdo vepër që të bësh ta bësh vetëm për hir të Allahut dhe ta mbashë zemrën larg syfaqësisë, përfitimeve dhe interesave personale. Pejgamberi (a.s.) në një hadith thotë: “Kush përfiton dituri jo për hirë të Allahut por për të arritur disa qëllime në këtë botë nuk do ta ndjejë aromën e xhenetit në Ditën e Gjykimit.” (Ebu Davudi) Të gjitha veprat vlersohen sipas sinqeritetit një vepër e vogël dhe e pa rëndësishme në dukje nëpërmjet sinqeritetit arrin gradat më të larta tek Allahu dhe e kundra.Sinqeriteti është në rolin e shpirtit për veprat, veprat nuk mund të bëjnë dot pa sinqeritetin. Allahu i ka urdhëruar të gjithë pejgamberët dhe popujt e tyre për që ta adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe sipas mënyrës që i është komunikuar pejgamberëve: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)