Home ZGJODHËM PËR JU Kjo jetë është thjesht një udhëtim

Kjo jetë është thjesht një udhëtim

-Danielle LoDuca

“Jeto në këtë botë si i huaj ose si udhëtar” – Muhamedi a.s

Të ndërtojmë një analogji. Kështu mund të vlerësojmë më saktë nëse po jetojmë ose jo në përputhje me këtë këshillë të profetit tonë të dashur.

Fillimisht zgjidhni destinacionin e përkryer. Nëse do të kishit mundësinë të shkonit kudo në këtë botë, cilin vend do të zgjidhnit? Zgjidhni një vend që ju ngazëllen, dhe që mezi po prisni ta vizitoni. Mund të jetë një ishull i bukur dhe i largët, rrënojat e lashta të një qytetërimi intrigues, takimi me një person shumë të dashur për ju. Gjithçka që ju dëshiron zemra. Tani përpiquni ta vizualizoni këtë udhëtim.

Për këtë udhëtim nuk mund të merrni avionin. Do t’ju duhen disa javë për të mbërritur, ndoshta edhe më gjatë. Do të jetë udhëtim i vërtetë. Përfytyroni çfarë do të thotë të jesh udhëtar dhe mendoni sesi udhëtimi mund të shërbejë si analogji për të shpenzuar jetën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mos u ngarko

Kur udhëton, është mirë të marrësh sa më pak gjëra, vetëm ato që nevojiten vërtet. Po ashtu, gjatë jetës nuk duhet ta rëndojmë veten me pasuri, me gjëra materiale, por edhe me ngarkesa dhe detyrime, si për shembull borxhet dhe pengjet, apo brengat emocionale. Ato do të frenojnë përparimin tonë, do të pengojnë rritjen dhe zhvillimin potencial që mund të arrijmë përmes pervojës që na mundëson kjo ekspedite që kemi ndërmarrë.

Shmangia e gjërave të tepërta, pra, të panevojshme, do t’ju bëjë të ndiheni më të lehtë dhe udhëtimi do të jetë më përmbushës.

Përgatitu

Furnizimet më të nevojshme gjatë një udhëtimi janë ushqimet, paratë, ndihma e shpejtë dhe komunikimi. Në lidhje me udhëtimin e jetës Allahu thotë:

“Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (2:197)

Devotshmëria është përkthyer si frikë ndaj Zotit, qëndrueshmëri, drejtësi, përmbushje e detyrimeve dhe të qenit i ndërgjegjshëm ndaj kërkesave të Zotit. Është një gjendje ndërgjegjësimi dhe gatishmërie përmes të cilës mbrojmë veten nga animi në të keqe. Ky burim i rëndësishëm s’mund të blihet në ndonjë dyqan. Allahu thotë:

“Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje.” (47:17)

Kjo na çon në pikën tjetër.

Mos harro GPS-në

Do të ishte marrëzi të ndërmerrje një udhëtim të gjatë pa pasur një udhëzues të besueshëm, apo jo? Fatmirësisht, Allahu, Udhëzuesi jonë, na ka pajisur me një udhëzues që na mban në drejtimin e duhur dhe që është më i mirë se çdo hartë apo GPS; ky është Kur’ani.

Ai na tregon vendmbërritjen dhe rrugën që duhet të ndjekim. Është i saktë dhe ofron zgjidhje për pengesat që hasim gjatë rrugës. Na paralajmëron për kurthet që duhet të shmangim, ndërsa na zbut dhe qetëson shpirtin. Është si një mik që të mbështet dhe të ngushëllon në ditë të vështira.

Mënyra e transportit

Thamë që në këtë udhëtim s’mund të përdorim avionin, megjithatë për çdo terren duhet të zgjidhni mjetin e duhur të transportit. Nuk mund të ngisni makinën mbi oqean; do t’ju duhet një anije. S’mund të ngisni biçikletën majë malit; duhet të kacavirreni. Ngjashëm, suneti apo metodologjia e profetit Muhamed shërben si një mjet transporti në jetën tonë, duke na ofruar zgjidhjen më të mirë për të kaluar në çdo terren.

Sytë tek trofeu

Sado përrallorë dhe magjepsës të jetën vendet ku do të kaloni; si udhëtar ju duhet të shmangni mahnitjen pas tyre. Në një udhëtim të gjatë, nuk duhet ta shpërqendroni kurrë shënjestrën për të arritur aty ku dëshironi.

Mos u lidhni më vendet ku kaloni

Do të takoni njerëz dhe shikoni gjëra të mahnitshme, do të flini në hotele të rehatshëm apo shplodheni në vende të bukura. Pavarësisht sa të shkëlqyera do të jenë ndalesat që do të bëni gjatë rrugës, apo sa e këndshme do të jetë shoqëria e atyre që do të njihni, duhet të jeni të aftë të thoni mirupafshim. Duhet të bëni përpara sepse e dini që vendi juaj nuk është aty dhe as që është e shkruar që të qëndroni. Të qenit i vetëdijshëm mbi qëllimet e tua të vërteta të ndihmon të vijosh rrugën pa e kthyer kokën pas. Duhet të jemi të qartë për natyrën kalimtare të çdo personi, vendi apo situate me të cilën përballemi në këtë botë.

Shmangi shpërqendrimet

Kur je në udhëtim, pavarësisht joshjes, duhet të shmangësh gjithçka që rrezikon të devijojë nga rruga. E dimë që shejtani do të përpiqet pafundësisht për të na nxjerrë nga rruga e drejtë. Në lidhje me këtë Allahu thotë në Kur’an:

“Ata që besojnë, luftojnë në rrugën e Allahut, kurse ata që nuk besojnë, luftojnë në rrugën e djallit. Luftoni kundër ithtarëve të djallit, sepse vërtet, dinakëria e djallit është e dobët!” (4:76)

Prandaj kërkoni mbrojtjen e Allahut dhe vazhdoni udhëtimin.

Mos toleroni asgjë që ju gjunjëzon

Keni ndjekur ndonjëherë një regjim, keni pirë vitamina, apo keni bërë një vaksinë përpara një udhëtimi? Kur të pret një rrugë e gjatë, duhet të ndërmerrni masa parandaluese ndaj çdo gjëje që mund t’ju pengojë.

Në udhëtimin e jetës, duhet të sigurohemi që trupat dhe mendjet tona janë në gjendje optimale – aq sa e kemi të mundur – dhe të parandalojmë çdo gjë që mund të ngadalësojë përparimin tonë, qofshin këta shokët e këqinj ose mënyrat e pashëndetshme të të jetuarit.

Përgatitu për të papritura

Kur udhëton, duhet të jesh gati për gjithçka. Në mënyrë që të vijosh udhëtimin, është e rëndësishme që t’i menaxhosh me qetësi dhe urtësi të papriturat, duke refuzuar të dorëzohesh. Duke qenë i kujdesshëm, fleksibël dhe i aftë të përshtatesh, ndërsa përballesh me këmbëngulje me çdo pengesë, mund të kalitësh durimin dhe të fuqizosh vetëbesimin.

Shqetësimet janë të përkohshme

Ndërsa udhëtoni drejt destinacionit final, nuk do të shqetësoheni shumë nëse ndonjë situatë e caktuar nuk është ideale, pasi e dini që ajo është thjesht e përkohshme. Me sa situata aspak ideale përballemi në jetë? Nëse i përballim shqetësimet tona me këtë mendësi, duke pasur parasysh që gjithçka do të kalojë, jetët tona do të bëhen më të lehta dhe më pak stresuese.

Vlerësim i shtuar

Merilin Tami, autrja e “Zgjedhjes së Lumtur” thotë:

“Të udhëtuarit zgjeron kapacitetin tonë për t’u mahnitur, ngazëllimin dhe vlerësimin për diversitetin mbresëlënës të planetit tonë të dashur”

Allahu thotë në Kur’an:

“Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë.” (30:22)

Ta kundrojmë dhe të përthithim mjedisin që na rrethon njësoj si të ishim udhëtarë. Të hapim sytë pak më shumë, të ndalemi një çast dhe të vlerësojmë shenjat që na rrethojnë.

Kurrë mos u dorëzo

Do të ndihesh i lodhur dhe i sëmurë, por kur udhëtimi vështirësohet, heqja dorë nuk është zgjidhje. Profeti Muhamed a.s thotë:

“Nëse Kijameti ju gjen me një fidan në dorë, mbilleni atë.” (Ahmedi)

Nëse nuk duhet të heqim dorë as në çastin e fundit para shkatërrimit të Tokës, atëherë çfarë justifikimi do të mjaftonte që të heqim dorë tani? Mblidh forcat dhe vazhdo përpara.

Vendosmëria për të arritur në destinacion – për të qenë pranë Krijuesit tonë – duhet të na udhëheqë përkundër çdo vështirësie gjatë udhëtimit të jetës tonë.

Duhet të rikujtojmë shpesh se e gjitha kjo është kalimtare. Çdo gjë që na ngjall emocione të forta, çdo frikë se jetët tona nuk janë ashtu siç kemi dëshiruar, kanë më pak rëndësi nëse i trajtojmë siç do të bënim po të ishim udhëtarë. Allahu thotë:

“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme” (57:20)

Ndonjëherë ndihemi sikur jemi në qendër të universit, por edhe për ne vdekja është e pashmangshme. Ç’trashëgimi do të lëmë pas në tokë? Më e rëndësishmja, çfarë punësh të mira kemi kryer, çfarë kemi përgatitur për amëshimin?

Zoti mos na bëftë nga ata që u ndërgjegjësuan kur ishte shumë vonë dhe që thanë: ““Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (89:24)

Të shumtët prej nesh e kuptojnë konceptin e të jetuarit si udhëtarë, por ta jetësosh këtë është e vështirë, përveçse nëse tregon vendosmëri dhe urtësi në ndryshimin e mënyrës së të jetuarit.

Herën tjetër kur të mërziteni për çfarëdo arsyeje, apo të ndiheni shumë i lidhur me dikë ose pas diçkaje, thjesht kujtoni se në këtë botë jeni udhëtarë.

Burimi: aboutislam.net