Home ZGJODHËM PËR JU Ju asnjëherë nuk mund ta dini peshën dhe vlerën e veprave tuaja

Ju asnjëherë nuk mund ta dini peshën dhe vlerën e veprave tuaja

Ju asnjëherë nuk mund ta dini peshën dhe vlerën e veprave tuaja. Një punë e vogël në syrin tënd, mund të jetë e madhe në peshoren e Zotit; e si rezultat, edhe shpërblimi i Tij. Prandaj, bëni mirë, qoftë edhe sa një thërrimë!
Rrëfimi më poshtë, dëshmia më e bukur:

“Një mbret ndërtoi një xhami. Ai dha urdhër që gjatë ndërtimit të saj nuk duhej të pranohej asnjë kontribut nga askush tjetër përveç tij. Emri i tij ishte shkruar me shkronja të mëdha në hyrje të saj. Një natë, ndërsa ishte në gjumë, pa në ëndërr sikur një engjëll zbriti nga qielli, e fshiu emrin e tij nga hyrja e xhamisë dhe shkruajti emrin e një gruaje. Kur u zgjua, shkoi vetë për të parë dhe u sigurua se emri i tij ishte akoma aty. Natën tjetër pa të njëjtën ëndërr dhe përsëri shkoi për të parë dhe u sigurua se emri i tij ishte akoma aty. Të njëjtën ëndërr e pa edhe natën e tretë, por këtë herë e mbajti mend emrin e gruas dhe kur u zgjua urdhëroi që ta kërkonin dhe ta gjenin se kush ishte ajo. Pas disa orësh, atë e sollën para tij. Ai e pyeti se si e kishte emrin dhe ajo i tha se ishte filanja e bija e filanit, i njëjti emër që mbreti e kishte parë në ëndërr të shkruar në derën e xhamisë. Ai e pyeti atë nëse kishte dhënë ndonjë kontribut për xhaminë, por ajo gjithë frikë i tha se ishte e varfër dhe nuk kishte se çfarë të jepte për xhaminë. Ai e pyeti përsëri se çfarë kishte bërë për xhaminë dhe ajo përsëri i tha se nuk kishte bërë ndonjë gjë. Por kur mbreti këmbënguli përsëri me të njëjtën pyetje, atëherë ajo i tregoi se një ditë, kur po kalonte pranë xhamisë, kishte parë njërin nga kuajt e xhamisë që mbarte gurët se ishte i etur dhe i kishte dhënë ujë nga një pus aty afër e pastaj ishte larguar. Atëherë mbreti i tha se me këtë që kishte bërë e kishte merituar që emri i saj të shkruhej në hyrjen e xhamisë”.