Home ZGJODHËM PËR JU JETA QË NUK VIHET NË PYETJE, NUK ËSHTË E JETUAR!

JETA QË NUK VIHET NË PYETJE, NUK ËSHTË E JETUAR!

Njeriu duhet të pyesë. Njeriu që nuk pyet, është i dënuar të skllavërohet. Çdo njeri duhet t’ia bëjë vetes pyetjet: “Përse kam ardhur në këtë botë?” dhe “Cila është urtësia e qëndrimit tim të përkohshëm në këtë botë?” Një jetë që nuk është vënë në pyetje dhe nuk i është dhënë përgjigje, nuk është reale. Një jetë e tillë, është si një çek fals.

Nëse ia dorëzojmë vullnetin tonë sistemit të kohës si një gjethe në erë, nuk mund të jemi asgjë tjetër përveçse një objekt konsumi brenda imponimit ekonomik ekzistues dhe një botëkuptimi materialist. Pra, do të ulemi vetëm në nivelin e një objekti. Nëse ia mbyllim gojën mendjes, zemrës dhe ndërgjegjes, të cilat e bëjnë njeriun më superior ndaj krijesave të tjera, atëherë nuk do të konsiderohemi më të gjallë.

Si do të jetë në fakt, po ta pyesim njëherë veten!? A kemi ardhur në këtë botë për të paguar këstet e sendeve që i blejmë me kredi? Kemi ardhur që dashurinë, të cilën nuk e tregojmë për njeriun, ta tregojmë për ndërtesat prej guri dhe makinat prej metali? Kemi ardhur për t’i vënë levën zemrës ndaj të varfërve dhe të bëhemi servilë para të pasurve? A mos kemi ardhur në këtë botë për ta konsumuar jetën duke rendur pas gjërave të kota e të padobishme? Po, njeriu duhet të pyesë. Ai duhet ta dijë përse ka ardhur në këtë botë. Njeriu nuk e kupton dhe nuk e percepton një çështje për të cilën nuk është i vetëdijshëm. Ekzistenca jonë varet nga kuptimi që ne i japim asaj.

Ta zëmë se i shijuam të gjitha kënaqësitë e botës. Çdo ditë e jona kaloi në lumturi, pa shqetësime, pa hidhërime. Por, deri kur do të vazhdojë kështu? Çfarë tjetër ka bërë kjo botë përveçse ka bluar atë që kemi korrur në këtë jetë? Çfarë tjetër ka bërë kjo tokë që e shkelim përditë, përveçse na ka marrë të dashurit një nga një? A nuk është vendi ku do të shkojmë edhe ne?

Le ta ngremë pak kokën prej programeve të garave, ndeshjeve të futbollit dhe telenovelave ku jemi zhytur dhe të shohim trenin e jetës që është duke shkuar. A nuk e vëmë re ndërtesën e jetës tonë se si po bëhet gërmadhë, duke iu shkëputur përditë nga një gur? A nuk u mërzitëm së pozuari lumturinë tonë falsë?

Shumica prej nesh, në bazë të besimit, e dinë shumë mirë se jeta e kësaj bote është vetëm lojë dhe argëtim. Po ashtu, në bazë të besimit, e dimë edhe se ne nuk jemi krijuar vetëm për këtë botë. E megjithatë, ne investojmë çdo gjë në jetën e kësaj bote, sikur vdekja të mos ekzistonte dhe sikur do të jetojmë përjetë në këtë botë.

Shejtani dikujt prej nesh i afrohet nga e majta dhe ai haramet i bën hallall në mënyrë të hapur. Dikujt tjetër i afrohet nga e djathta, duke ia përlyer veprat e tij të pastra me mendjemadhësi. Ai na mbyt në shirkun e fshehtë, ndërsa ne pandehim se kemi fituar. Mirëpo nuk e kuptojmë fare se kemi humbur.

Të gjithë e dimë se jeta e kësaj bote nuk është një vend i domosdoshëm, sepse, nëse do të ishte i domosdoshëm, bota nuk do të konsumohej kështu vetvetiu. Jeta shpenzohet dhe ikën duke rendur vazhdimisht pas shtëpisë, makinës dhe pozitës. Ndërkohë, pas mbetet një libër i mbushur me armiqësi, thyerje zemrash, turli farë dallaveresh dhe gjynahe të shumta.

A kaq e lirë dhe e pakuptimtë është jeta? Fakti që shumë njerëz e kanë lënë veten nën drejtimin e stomakut dhe organit seksual, a nuk tregon se ata kanë mbetur në nivelin e kafshës, në mos edhe më ulët se ato? Ndërkohë që grada më e lartë është të krijohesh si njeri dhe të dërgohesh në këtë botë si njeri, cili është kuptimi i faktit se njeriu e hedh veten në humnerën e indiferentizmit?

Ne jemi të detyruar të gjejmë të vërtetën duke ardhur rreth e qark këtyre pyetjeve dhe çështjeve. Për këtë arsye, ne themi se një jetë e cila nuk vihet në pyetje, nuk është jetuar fare. E lusim Allahun e Madhëruar që zemrat tona ta shohin bregun e së vërtetës si shpëtim dhe t’i drejtojnë anijet për në atë liman.