Home ZGJODHËM PËR JU FËMIJËT DËGJOJNË ME SY, JO ME VESHË

FËMIJËT DËGJOJNË ME SY, JO ME VESHË

Një nga mësimet më të thella që kam mësuar është se ‘fëmijët dëgjojnë me sy, jo me veshë’.

Nëse e mësoni fëmijën tuaj për rreziqet e pirjes së duhanit duke mbajtur cigaren në dorën tuaj, fjala juaj nuk do të ketë asnjë efekt, pavarësisht se sa është e vërtetë. Fëmija juaj do të ‘shohë’ atë që është në dorën tuaj dhe do të merr mësim prej saj, duke shpërfillur gjithçka që thoni.

Po ashtu, arsyeja pse fëmijët tuaj nuk janë të interesuar për Kuranin, pavarësisht nga fakti se ju i keni dërguar në pesë medrese të ndryshme, është se ju vet nuk dini të lexoni dhe as që përpiqeni në mënyrë aktive për ta bërë atë. Hipokrizia kurrë nuk kalon pa u vënë re tek fëmijët. As nuk do të kalojë ndonjëherë.

Madje edhe nëse i mësoni të lexojnë fizikisht, të shkruajnë dhe të mësojnë përmendsh, kjo nuk do të depërtojë në zemrat e tyre.

Nga ana tjetër, unë njoh çifte të cilët çdo ditë, si pjesë e mënyrës së jetesës së tyre, e lexojnë dhe nxënë përmendsh Kuranin, kurse fëmijët e tyre (të cilët mezi ecin) përpiqen ta lexojnë Kuranin pa asnjë udhëzim. Fëmijët e tyre nën moshën 10 vjeç kanë mësuar shumë pjesë të Kuranit pa asnjë shtrëngim.

Është e vështirë t’i ankohesh shefit tënd për të ardhur dhe për ta filluar punën në orën 9, kur e sheh se ai vet vjen në orën 8 të mëngjesit.

Është e vështirë t’i thuash babait tënd se përsëritja e një xhuzi (Kuran) në ditë është shumë, kur ai vet i përsërit nga dy xhuza në ditë.

Në fakt, sa më shumë që dëshmoheni me veprimet tuaja, aq më e fuqishme është heshtja juaj. Kur miqtë tuaj t’ju shohin sesi e falni personin që nuk meriton falje, ju atyre ua keni dhënë mësimin e jetës, pa e folur asnjë fjalë. Kur vjen koha e tyre që të bëhen njerëz të mëdhenj, ata nuk do ta kërkojnë këshillën tuaj, sepse ju i keni këshilluar ata më me mençuri sesa që do të mund t’i këshillonit me fjalët tuaja.

Aishja (r.a.) e ka përshkruar Pejgamberin (savs) si ‘Kurani që ecën’. Prandaj sahabët e respektonin atë. Kur ai falej aq shumë sa që edhe këmbët i ënjtshin, Aishja (r.a.) e kishte pyetur se pse po e bën një gjë të tillë, pasiqë i ka të falura edhe mëkatet e kaluara edhe të ardhmet, ai (savs) ishte përgjigjur: “Oj Aishe, a nuk duhet të jem rob mirënjohës!”

Kur sahabët po gërmonin një hendek dhe i thanë Pejgamberit (savs) se ishin të uritur, duke ia treguar gurin e lidhur për stomak për ta ulur urinë, ai (savs) e ngriti këmishën e tij dhe ua tregoi atyre dy gurët e lidhur për stomakun e tij. Atëherë ata u kthyen në punë.

Pejgamberi (savs) ishte njeri i cili flinte në shtrat të fortë nga i cili gjurmët i mbeteshin në shpinë. Kur u tha sahabëve që të falen natën dhe të flinin më pak, askush këtë nuk e vuri në pyetje.

Mos u ankoni për fëmijët tuaj, bashkëshortët, studentët ose punonjësit, nëse nuk ka zgjidhje në atë që ju vet e bëni.