Home ZGJODHËM PËR JU E FSHEHTA E SHPREHJES LA ILAHE IL-ALLAH

E FSHEHTA E SHPREHJES LA ILAHE IL-ALLAH

E fshehta e shprehjes “La ilahe il-lallah”

La Tahzen – Mos u dëshpëro

Shembulli yt le të jetë Rasulallahu (a.s.), sepse ai është prijësi, i cili shpie në lumturi çdokënd që i bindet. Është udhërrëfyesi, që çon në shpëtim dhe sukses.

La Tahzen – Mos u dëshpëro

Ai që i hedh sytë haramit, në zemër mbjell veç hidhërim dhe shqetësim. I lumtur është ai që i frikësohet Allahut dhe i ruan sytë prej haramit.

E fshehta e shprehjes “La ilahe il-lallah”

Formula e Teuhidit është shprehja më e rëndësishme, e cila ndan besimin nga mohimi, njerëzit e lumtur nga të mjerë… Në të njëjtën kohë, “La ilahe il-lallah” është një themel, ku janë ndërtuar të gjitha punët e mira e të sinqerta. Ashtu siç është e dënuar të shkatërrohet një ndërtesë pa themel, ashtu edhe një punë, qoftë edhe shumë e rëndësishme por që nuk është ndërtuar mbi atë themel, është e dënuar të shkatërrohet ose, siç shprehet edhe Kurani, “hebaen mensura”, pra të kthehet në pluhur që e merr era.

“La ilahe il-lallah”, do të thotë: “Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”

Po çfarë kuptimi tjetër ka kjo shprehje?

Të thuash “Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Një ditë, herët a vonë, drejtësia dhe e vërteta, do të vijnë në mënyrë absolute…

Do të thotë mëshirë, do të thotë falje…

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Që lotët të mos rrjedhin kot, durimi, e mira dhe e keqja të mos ngelen pa shpërblim dhe vrasja e gjynahu të mos ngelen pa dënim…

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Të eliminohen shqetësimet dhe të garantohet se e drejta do t’i jepet të zotit. Do të thotë që zemrat të arrijnë kënaqësinë, nefset (egot) qetësinë dhe shpirtrat paqen…

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Që këtë botë nuk e drejton koprraci, por Bujari, më Bujari…

Të marrë atë që ka dhënë, nuk është në natyrën e Bujarisë. Allahu Teala, i Cili na ka falur jetën, nuk na e merr atë me anë të vdekjes. Vdekja kurrë nuk është marrja e jetës që na është falur. Përkundrazi, vdekja është një falje e një jete të re e të bukur për ata që e thonë ashtu siç duhet “La ilahe il-lallah”.

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Në gjithësi nuk ka asjë të metë dhe në mesin e krijesave, nuk ka asgjë të kotë…

Do të thotë se në çdo gjë ka një urtësi… Do të thotë se pas çdo ndodhie ka një urtësi… Do të thotë se në çdo krijesë ka një urtësi… Do të thotë se pas çdo dhimbjeje, hidhërimi, sëmundjeje, dëshpërimi, dobësie e fuqie, ka gjithmonë një urtësi.

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Që të gjitha hidhërimet, hallet, vështirësitë, të metat dhe gabimet tona të shkrihen në mëshirën e pafundme të Rrahmanit…

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

E gjithë fuqia dhe forca është në dorë të Tij… Do të thotë se njohuria e pafundme e të gjitha diturive është tek Ai… Do të thotë se të gjitha dëshirat dhe kërkesat tona janë në dorën e Tij…

“Përveç Allahut nuk ka zot tjetër”, do të thotë:

Nuk ka ikje prej Tij, përkundrazi, ikjet janë për tek Ai…

Do të thotë se Ai është vendstrehimi i të gjithë robërve…

Do të thotë se Ai është dera e vetme e lutjes dhe përgjërimit për vështirësitë, hallet dhe hidhërimet tona…

Shkurt, thënia me sinqeritet e “La ilahe il-lallah”, në veçanti për besimtarin, të cilit i është ngushtuar shpirti, do të thotë:

Shoqërim me Atë… Do të thotë shpëtim… Do të thotë garanci paqeje dhe lumturie në të dyja botët…