Home ZGJODHËM PËR JU BUTËSIA NË ISLAM

BUTËSIA NË ISLAM

Butësia në Islam

Me të vërtetë, feja islame është fe e butësisë, e mirësisë dhe e dashamirësisë. Ajo kërkon që njeriu të jetë i butë, i njerëzishëm dhe i mëshirshëm me të tjerët. E tërë jeta e myslimanit, besimi, ibadeti, morali dhe marrëdhëniet e tij ndërnjerëzore duhet të jenë të ndërlidhura me butësinë. Me këtë cilësi, u dërgua edhe krijesa më e nderuar mbi sipërfaqen e tokës, Muhamedi (s.a.v.s.), i cili kërkonte nga njerëzit të ishin të butë dhe të mëshirshëm mes tyre.

Allahu i Madhëruar na e bën të qartë pozitën dhe prestigjin e personit më të dashur për Të, Muhamedit (s.a.v.s.) dhe na rrëfen shkakun pse njerëzit e deshën dhe u bashkuan pas tij! Pra, ishte pikërisht mëshira dhe butësia e madhe e tij, me të cilat ai i fitoi zemrat e njerëzve. Allahu (xh.sh.), në Kuranin famëlartë urdhëron: “Ti (o Muhammed), ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë e, sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…” (Ali Imran, 159.)

Allahu (xh.sh.), na bën me dije në Kuranin famëlartë se butësia është një ndër cilësitë me të cilën ai i dërgoi të gjithë pejgamberët e Tij, përpara se t’i dërgonte te faraoni, i cili e kishte shpallur veten zot, duke thënë: “Unë jam zoti juaj më i lartë!”

Allahu i madhëruar i porositi dy pejgamberët e Tij, Musanë dhe Harunin (a.s.), duke u thënë: “Shkoni te faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! I thoni fjalë të buta, ndoshta mendohet a frikësohet” (Ta Ha, 43-44.)

Nëpërmjet këtyre ajeteve, Kurani i Madhëruar na ka treguar domethënien dhe rëndësinë e butësisë dhe na fton të gjithë ne myslimanëve të sillemi me butësi me të gjithë njerëzit, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në realizimin e qëllimeve tona.

Transmetohet nga Ibn Abasi (r.a.), se Pejgamberi (a.s.), i ka thënë Eshexh ibn Abdulkajsit: “Ti zotëron dy cilësi, të cilat Allahu (xh.sh.), i do pa masë: sjelljen e butë dhe maturinë.” (Muslimi)

Ne duhet të tregohemi të butë ndaj fëmijëve, prindërve, miqve e farefisit, më të rinjve, më të moshuarve, të dobëtve, të pikëlluarve, si dhe ndaj çdo njeriu tjetër me të cilin ne kemi marrëdhënie.

Në një hadith të transmetuar nga Muslimi Pejgamberi (a.s.), ka thënë:

“Personi që nuk di të sillet me butësi, është si të jetë privuar nga të gjitha mirësitë!”.

Një nga shembujt e butësisë së Pejgamberit (a.s.), është edhe tregimi i Thumame ibn Uthadit, njërit prej prijësve të fisit Beni Hanife. Ai ka qenë armik i përbetuar i Pejgamberit (a.s.) dhe kishte luftuar me ashpërsi kundër myslimanëve. Mirëpo, pasi e zunë rob, e ftuan për tre ditë rresht të pranonte fenë islame. Kur e pa i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), se nuk dëshironte të hynte në Islam, u tha myslimanëve ta lironin, sepse e kishte falur. Pasi fitoi lirinë, Thumame filloi të mendohej thellë për ato që kishin ndodhur, duke thënë me vete: “Unë kam qenë armiku dhe kundërshtari i përbetuar i Muhamedit, por ai jo vetëm që nuk më detyroi ta pranoja Islamin, por edhe më shpëtoi jetën. Vërtet, një gjë të tillë nuk e bën kush përveç atij njeriu që ka moral profetik”. U pendua dhe menjëherë shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), të cilit iu drejtua me këto fjalë: “O Muhamed, dije se nuk ka pasur qytet më të urryer për mua sesa qyteti yt, por tani ai është qyteti më i dashur. Nuk ka pasur fytyrë më të urruer për mua sesa fytyra jote, ndërsa tani nuk ka fytyrë më të dashur për mua se fytyra jote e ndritur. Nuk ka pasur fe më të urryer për mua se feja jote, por tani nuk ka fe më të dashur për mua se feja jote, prandaj dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka zot tjetër përvec Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij”. Pra, shikoni se si ky njeri e përqafoi Islamin si shkak i butësisë së Muhamedit (s.a.v.s.).

Butësia, dashamirësia dhe sjellja e mirë forcojnë lidhjet mes besimtarëve. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Allahu e do butësinë në çdo çështje”.

(Buhari, Muslim, Ahmedi, Tirmidhiu)

Allahu është i butë dhe jep për butësinë shpërblime që nuk i jep për ashpërsinë. Këto shpërblime janë të veçanta vetëm për butësinë”. (Muslimi) Për këtë gjë, muslimanët duhet të jenë të butë dhe të dashur me njëri-tjetrin.

Ibn Mes’udi (r.a.). transmeton se Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Zjarri i xhehenemit nuk do t’i djegë njerëzit e butë, të thjeshtë dhe të dashur me të tjerët.”

(Tirmidhi, Ahmedi)