Home ZGJODHËM PËR JU Alarmi/ Me ushqimet e përpunuara, fëmijët po hanë 18 lugë sheqer në...

Alarmi/ Me ushqimet e përpunuara, fëmijët po hanë 18 lugë sheqer në ditë

Ekspertët thonë se shumica e fëmijëve e konsumojnë sheqerin në ushqime të ndryshme, si drithëra dhe pije, duke e bërë të vështirë për prindërit që të kontrollojnë atë që ata konsumojnë.

Shifrat e Shëndetit Publik në Angli tregojnë se mesatarisht fëmijët nga mosha 11 deri 18 vjeç konsumojnë 73.2 gram sheqer në ditë – afërsisht sa 18 lugë sheqer në ditë. NHS këshillon se fëmijët mbi 11 vjeç duhet të konsumojnë jo më shumë se 30 gr në ditë.
Pra, kjo do të thotë se shumica e fëmijëve dhe adoleshentëve hanë edhe mbi dyfishin e kufirit të rekomanduar. Studimi ka analizuar shifrat, duke theksuar se industria ushqimore duhet të marrë masa urgjente për të reduktuar sheqerin në ushqime.
“Shumica e prindërve nuk do t’u jepnin 20 biskota me çokollatë në ditë fëmijëve të tyre, por me aq shumë sheqer të fshehur në ushqimin tonë dhe pijet, shpesh mund të jetë e vështirë të dini se sa shumë produkte të tilla konsumojnë fëmijët tanë.
Duke ulur sasinë e sheqerit që gjendet në produktet e përditshme, industria mund të ndihmojë për të përmirësuar vërtet shëndetin e fëmijëve tanë. Industria ka qenë e suksesshme në të kaluarën për reduktimin e kripës – le të bëjnë të njëjtën gjë me sheqerin”, – tha Dr Modi Mwatsama.
Qeveria u ka bërë thirrje kompanive të industrisë ushqimore që të reduktojnë sheqerin në produkte të përpunuara, të tilla si drithërat e mëngjesit, ëmbëlsira dhe kos, me 20 për qind deri në vitin 2020.
Por programi është kritikuar ashpër për shkak se kjo është thjesht një skemë vullnetare dhe nuk përmban masa për të detyruar kompanitë që të veprojnë.